Greg Delawie, për Gjykatën Speciale, s" />

Të kritikuarit nga Delawie shfrytëzojnë fyerjen e Nasim Haradinajt për ta ruajtur “miqësinë me SHBA-në”

Të kritikuarit nga Delawie shfrytëzojnë fyerjen e Nasim Haradinajt për ta ruajtur “miqësinë me SHBA-në”

Një adresim i së mërkurës bërë nga ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, për Gjykatën Speciale, shkaktoi një seri fyerjesh ndaj tij, prej nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Haradinaj fillimisht në një intervistë për “Kosova Press” e quajti “palaço” ambasadorin amerikan, ndërsa pas disa orësh në “Klan Kosova”, i dha edhe dy epitete të tjera “gangster” dhe “çoban”.

Haradinaj nuk i bie pishman për fyerjen ndaj Delawie, i jep edhe dy epitete tjera

Por përderisa Haradinaj nuk i ra pishman për këto fjalë ai këmbënguli në fyerjet e tij ndaj ambasadorit.

“Kush është ai që t’i kërkoj falje unë? Nuk kam përse t’i kërkoj falje unë”, tha Haradinaj.

Në fakt, Haradinaj reagoi me fyerje ndaj një adresimi tepër specifik që ambasadori bëri të mërkurën, nuk kishte të bënte asgjë me veteranët e luftës, por me ata që po përkrahin dhe sipas tij fshihen prapa iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Fjalimi i Delawie që e aktivizoi me fyerje Nasim Haradinajn

“Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet.  Më lejoni të jem i qartë: deputetët që e mbështesin këtë nismë – dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre – do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra nëse kjo nismë ka sukses.  Ata e dinë këtë, ua kemi thënë këtë”, deklaroi ambasadori në fjalën e tij.

E kishte fjalën për tre liderët e vendit, kryetarit të AAK-së dhe kryeministrit Ramush Haradinaj i cili publikisht është kundër kësaj Gjykate, kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit që është edhe kryetar i PDK-së nga ku vinë shumë e deputetëve që kanë nënshkruar iniciativën për shfuqizimin e Speciales dhe presidentit të vendit Hashim Thaçi që dikur ka qenë pro kësaj Gjykate por që së fundmi ka ndërruar pozicion duke dalë kundër.

Pikërisht këta të tre liderë, shfrytëzuan fyerjet e Nasim Haradinajt që të dalin kundër deklaratave fyese ndaj ambasadorit Delawie.

I pari që reagoi ishte Ramush Haradinaj. Ai dhe Nasim Haradinaj janë edhe kushëri. Haradinaj e dënoi gjuhën e kushëririt të tij duke thënë se gjuha e tij është në “kundërshtim të plotë me etikën tonë të diskursit publik dhe normat të cilave iu përkushtohemi si qytetarë të Kosovës”.

Kryeministri komenton deklaratën e Haradinajt – “Delawie është palaço”

E pas tij, reagoi Kadri Veseli, i cili edhe pse me një shkrim autorial të para disa javësh tha se PDK-ja nuk do të votojë pro shfuqizimit, deputetët e partisë që ai drejton, ende janë duke insistuar në iniciativën e tyre.

Veseli beson se Haradinaj mund te reflektoje, por gabohet: Ai tashmë ka shpërthyer

Krejt në fund, reagoi edhe presidenti Hashim Thaçi.

“Shprehja e mendimit të lirë nuk duhet të keqpërdoret dhe të degradojë në fyerje, aq më tepër ndaj ambasadorit të shtetit, me të cilin kemi miqësi të përjetshme”, shkroi presidenti.

Edhe presidenti kundër Haradinajt

Ndërsa vet Dealwie nuk është marrë me këto deklarata të Nasim Haradinajt./Insajderi.com