Të hyrat e Doganës shënuan rritje të konsiderueshme këtë vit

24.09.2016 18:48

Dogana e Kosovës thotë gjatë këtij viti ka pasur rritje të të hyrave, si rezultat i ndryshimeve të politikave fiskale dhe marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Të hyrat e Doganës shënuan rritje të konsiderueshme këtë vit

Dogana, sipas një njoftimi për media, thotë se deri më tani ka arritur që sjellë t’i hyra buxhetit të Kosovës më shumë se 89.1 milionë euro.

“Përkundër këtyre ndryshimeve fiskale të cilat janë të përmbledhura në tabelën në vazhdim shihet qartë se angazhimi i doganës dhe puna e palodhshme e oficerëve doganor ka sjell të hyra më shumë për 89,1 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Krahasuar me vitin e kaluar, Dogana e Kosovës thotë se të hyrat janë rritur për rreth 14 për qind.

“Deri dje, Dogana ka arkëtuar 746 milionë euro që në krahasim me vitin e kaluar është 14 % më shumë se viti 2015 që ishte 658 milionë. Gjithashtu edhe kundrejt projeksioneve buxhetore për viti 2016 (Dogana për këtë vit duhet të mbledh 1 miliard e 40 milionë euro), pra ne jemi 22 milionë euro apo 3.2% më shumë.”

“Sipas trendit momental, ne do të tejkalojmë edhe projeksionin buxhetor deri në fund të vitit. Kjo rritje e të hyrave bëhet edhe më domethënëse kur dihet fakti se gjatë këtij viti kemi pasur ndryshime në politikat fiskale si dhe ka filluar marrëveshja e Stabilizim-Asocimit që kanë reflektuar direkt në të hyrat e mbledhura nga Dogana”, theksohet në njoftim.

Dogana thotë se si rezultat i MSA duke filluar nga 1 prilli i këtij viti, ka liruar mallra me vlerë të taksës doganore prej 13 milion euro, pra efekti kryesor ishte në taksën e Doganës por edhe në mbledhje e TVSH-së.

Derisa, sipas Doganës, shtyrja e TVSH-së nga kufiri në brendi të vendit për lëndën e parë, pajisjeve prodhuese dhe teknologjinë informative ka ndikuar direkt në uljen e mbledhjes së TVSH-së me total prej 15 milionë euro më pak.  /Insajderi.com