Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, dhe raportuesja për liberalizim të vizave, Tanja Fajon, kanë shprehur keqardhjen e tyre “me shtyrjen, në Kuvend, të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi”.
Në llogaritë e tyre në rrjetin social Twitter, Lunacek dhe Fajon kanë porositur se “votimi në komitetin LIBE të Parlamentit Evropian do të bëhet ditën e hënë të javës së ardhshme”.
Lunacek ka shkruar se “Parlamenti Evropian është serioz në mbështetjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave”.
“Kosova duhet të përmbushë të dyja kriteret e mbetura për liberalizim të vizave”, shkruan Lunacek duke shtuar se “Fajon planifikon të ecë tutje me votimin në komitetin LIBE”.
I njëkohshëm ka qenë edhe reagimi i Tanja Fajonit, raportueses për liberalizim të vizave të Parlamentit Evropian, e cila ka shkruar se “të gjithë duhet të jemi të njëzëshëm për të ecur përpara me marrëveshjen për demarkacion”.
“Mbetem e përkushtuar për procesin. Plani im është që të procedojë me votimin për udhëtimin pa viza për Kosovën në LIBE”, ka shkruar Fajon duke theksuar se “ i bën thirrje Kosovës që të përmbush kushtet e mbetura për liberalizim të vizave”
“Topi është tani është në fushën e Kosovës”, ka ajo.
Komiteti LIBE ishte paraparë të votonte për Kosovën në korrik të këtij viti, por shtyu votimin në shtator me shpresën se politikanët e Kosovës do të gjejnë një zgjidhje për demarkacionin.
Qeveria e Kosovës e tërhoqi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, të enjten, me arsyetimin “e rrethanave të pafavorshme të krijuara dhe tensioneve në vend”. Kuvendi u mblodh më 1 shtator për të diskutuar për demarkacionin dhe për ta votuar marrëveshjen përmes protestave që u organizuan në rrugë nga Lëvizja Vetëvendosje. /Insajderi.com