Të hënën ndryshime në kabinetin e kryeministrit Rama

11.03.2017 15:27
Të hënën ndryshime në kabinetin e kryeministrit Rama

Mediat në Shqipëri sot kanë shkruar për dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndërkohë që një burim i qeverisë ka konfirmuar për Top Channel se ndryshet të rëndësishme në qeveri do të bëhen ditën e hënë.

“Por këto ndryshime nuk çojnë në një qeveri teknike dhe se kabineti mbetet politik”, citojnë burimin nga Qerveria Tch.

Ndërkohë që protesta e opozitës vazhdon, e bashkë me të edhe kërkesa e Lulzim Bashës për krijimin e një qeverie teknike, si kusht që partitë opozitare të hyjnë në zgjedhjet e 18 qershorit, ajo çka mesa duket është e vërtetë lidhet me formulimin e një përgjigjeje flakë për flakë për intensifikim të fushatës së socialistëve në terren.

Sipas të njëjtave burime, në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve me udhëheqësit e fushatës në çdo qark, Edi Rama ka lënë të kuptohet se është i pakënaqur me nivelin e mobilizimit të tyre dhe se kjo mund të çojë në lirimin nga detyra të ministrave që janë njëkohësisht drejtues politikë në qarqe, për t’u fokusuar me kohë të plotë në angazhimin elektoral.

Mesa duket kërcënimi i opozitës për mospjesëmarrje në zgjedhje me këtë Qeveri, jo vetëm nuk do të çojë në një qeveri teknike pa Edi Ramën, por e ka bindur atë të ekzekutojë planin e tij. Kështu, PS hyn para kohe në fazën finale të fushatës, duke rritur praninë e drejtuesve politike në çdo qark, si edhe duke përfshirë të tjera figura politike në kabinetin qeveritar.