Të hash turpin me bukë

Lexova se një lëvizje fetare, s’më kujtohet emri i saj, dëshiron të rikthejë rrëfimin faqe publikut. I kanë rënë pikës, se ç’lezet ka që turpet e tua t’i marrë vesh vetëm prifti?

Të hash turpin me bukë

Të premten e shkuar, përgjatë netëve të organizuara nga “La Republica” në Bologna, duke bashkëbiseduar me Stefano Bartezzaghi-n, m’u desh të ndalesha te koncepti i namit. Dikur nami ishte ose i mirë ose i keq dhe kur dikush rrezikonte t’i dilte nami i keq (ngaqë falimentonte, apo ngaqë e mbanin për brinar), puna shkonte deri te vetëvrasja ose te krimet për motive nderi. Natyrisht, të gjithë e dëshironin namin e mirë. Por ka kohë që koncepti i namit ia ka lënë vendin atij të famës. Sot ka rëndësi të jesh “i njohur” nga të tjerët, por jo në kuptimin e njohjes si nderim apo si vlerësim, por në kuptimin më banal, siç është rasti kur dikush kalon në rrugë dhe të tjerët thonë “shihni pak, po kalon ai!”. Vlerë mbizotëruese është bërë të dukurit dhe mënyra më e sigurt është dalja në televizor. Dhe nuk është nevoja të jesh Rita Levi Montalcini ose Mario Monti, mjafton të pranosh se bashkëshorti ta ka dredhur, te ndonjë nga ato emisionet ku të bëjnë që lotët të të rrjedhin rrëke.

Heroi i parë i dukjes ka qenë teveqeli që ta bënte me dorë nga prapa personit që intervistohej. Me këtë gjest bëhej i njohur në mbrëmje te bari i lagjes (“E di që të pashë në televizor?”), por sigurisht, kjo rënie në sy nuk zgjaste më shumë se dy orë. Kështu që, pak e nga pak, fitoi terren ideja se për të rënë në sy tamam duhet të bësh gjëra që, herët a vonë, do ta nxjerrin namin e keq. Nuk është puna se njerëzit s’e duan namin e mirë, por ai i shkretë nuk arrihet dot lehtë: të duhet të bësh ndonjë akt heroik, të fitosh në mos çmimin ‘Nobel’, të paktën çmimin ‘Strega’, të kalosh një jetë të tërë duke mjekuar lebrozët dhe këto nuk janë gjëra që arrihen fët e fët. Është më kollaj të bëhesh interesant kur je i çekuilibruar, nëse shkon në shtrat për para me një njeri të famshëm, ose kur të akuzojnë për korrupsion. Nuk po bëj shaka, mjafton të shohësh pamjen krenare të zyrtarit hajdut apo të mashtruesit të vockël kur shfaqen në ekranet e lajmeve, qoftë edhe ditën e arrestimit: i akuzuari zbardh dhëmbët ngaqë ca ditë burg në këmbim të famës është ku e ku më mirë se parashkrimi i dënimit. Pastaj s’mbahet mend prej sa vjetësh nuk dëgjojmë më që dikujt t’i jetë nxirosur jeta sepse i kanë hedhur hekurat. Shkurt, parimi është ky: “Kur del Madonna pse të mos dal dhe unë?”. Punë e madhe se ti nuk je virgjëreshë.

Për këto po flisnim të premten, 15 qershorin e shkuar, kur pikërisht të nesërmen doli te “Republica” një shkrim i gjatë i Roberto Esposito-s (“Turpi i humbur”), ku bënte refleksione edhe për librat e Gabriella Turnaturi-t (“Turpi. Metamorfoza e një emocioni”, botues Feltrinelli) dhe të Marco Belpoliti-t (“Pa turp”, botues Guanda). Me një fjalë, tema e humbjes së ndjenjës së turpit është e pranishme në përsiatje të ndryshme mbi zakonet bashkëkohore.

Sot, mania për t’u dukur (dhe dëshira për t’u bërë i njohur me çdo çmim, edhe me çmimin e asaj që dikur quhej damka e turpit) vjen nga humbja e ndjenjës së turpit apo turpin e hamë me bukë pasiqë vlerë mbizotëruese në shoqëri është të dukurit, qoftë edhe me koston e turpërimit? Anoj nga teza e dytë. Rënia në sy, të qenit objekt diskutimi është një vlerë aq mbizotëruese sa njerëzit janë gati të heqin dorë nga ajo që dikur e quanim cipë (ose ndjenja e xhelozisë për privatësinë e vet). Esposito vërente se edhe të folurit me zë të lartë në celular, në një mjedis publik, duke i bërë të njohura për gjindjen problemet e tua vetjake, ato që dikur pëshpëriteshin në vesh, është shenjë e mungesës së turpit. Nuk është fjala për rastin kur robi s’e çan kokën se të tjerët po e dëgjojnë (në këtë rast kemi të bëjmë me një të paedukuar), është fjala për ata që, me papërgjegjshmëri, dëshirojnë që t’i dëgjojnë të tjerët, anipse çështjet e tyre vetjake s’kanë kurrfarë rëndësie. Por, ajmé, s’jemi të gjithë Hamletë apo Ana Karenina, që të kemi probleme vetjake të rëndësishme, kështu që mjafton të na njohin bota për escort apo si borxhli pa një kacidhe në xhep.

Lexova se një lëvizje fetare, s’më kujtohet emri i saj, dëshiron të rikthejë rrëfimin faqe publikut. I kanë rënë pikës, se ç’lezet ka që turpet e tua t’i marrë vesh vetëm prifti?