Të gjithë të kënaqur me 17 shkurtin

Të gjithë të kënaqur me 17 shkurtin

Përderisa Qeveria festoi në 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, opozita mblodhi në rrugë mijëra qytetarë për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë. Si asnjëherë më parë të dyja palët u ndanë të kënaqura me mbarëvajtjen e aktiviteteve të tyre.

Rrallëherë ndodhë në skenën politike kosovare që edhe opozita edhe pozita të ndahen të kënqura me mbarëvajtjen e aktiviteteteve të tyre, pa u ankuar për prishje apo provokim të planit të tyre.

Por, për mbarëvajtjen e aktiviteteve të sotme me 17 shkurt, këtë herë janë ndarë të kënaqur të gjitha palët.

Pozita tha se ishte një festim i denjë i 8 vjetori të Pavarësisë ndërsa opozita u nda e kënaqur me protestën që e organizuan e e cila përfundoi pa asnjë ekses.

E kënaqur u nda edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila falënderoj qytetarët  për siç tha ajo “shënim të dinjitetshëm të përvjetorit të tetë të pavarësisë”.

“Sot në kryeqytetin tonë pati festë dhe protestë, te dyja pjesë të pandashme të demokracisë. Të gjithë e duam Kosovën dhe nuk duhet të ndalemi së festuari me krenari për rrugën që kaluam deri këtu, sikur që nuk duhet ndalur së punuari që Kosova të jetë vendi që e ëndërruam”, ka thënë Jahjaga.

Edhe ambasadori i Amerikës në Kosovë është kënaqur me ditën e 17 të Shkurtit.

“Është kënaqësi të shihet Dita e Pavarësisë në Kosovë dhe protestat që kaluan të qeta”, ka shkruar Greg Delawie

Të kënaqur me mbarëvajtjen e 17 shkurtit thanë se u ndanë edhe kryeministri, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, të cilët u paraqiten në një konferencë për media, disa minuta pasi opozita e shpalli zyrtarisht protestën të përfunduar.

Mustafa madje ka falënderuar qytetarët që kanë shprehur paqësisht atë për të cilën kanë dalë në protestë edhe pse shfaqi dyshimet se ata mendojnë njëjtë sikurse thirrjet e liderëve opozitarë.

Edhe Thaçi foli në këtë konferencë ku akuzoi opozitën që sipas tij la shumë qytetarë pa festuar Pavarësinë. Ai më vonë shkroi në profilin e tij në Facebook, se ndihet krenar me “festimet dinjitoze të qytetarëve në Ditën e Pavarësisë”.

“Po ashtu vlerësoj lart qytetarët që protestuan në mënyrë të qetë, 17 shkurti është ditë në të cilën të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim partiak dhe etnik”, ka shkruar Thaçi.

Të suksesshme e kanë konsideruar edhe opozita ditën e 17 shkurtit.

Sipas liderit të VV-së, Visar Ymeri, e cilësoi protestën si një akt i shpëtimit të Republikës dhe drejtësisë në vend, ndërsa njeriu numër dy në partinë NISMA, Jakup Krasniqi, tha se “protesta e sotshme për ne është ngjarje e madhe, për kundërshtimin e madh që po i bëjnë qytetarët të Kosovës kundër mashtruesve dinak”, duke iu referuar Qeverisë së Kosovës.