“Të gjithë humbësit u bënë bashkë për të mposhtur PDK-në”

20.11.2017 17:38
“Të gjithë humbësit u bënë bashkë për të mposhtur PDK-në”

Abelard Tahiri, shefi i përgjithshëm i shtabit zgjedhor të PDK-së, ka thënë se kjo parti humbi në gjashtë komuna në balotazh për shkak se kundër kandidatëve të saj u bënë bashkë të gjitha partitë tjera.

Në “Express” të KTV-së, ai ka përsëritur se PDK mbetet partia me numrin më të madh të asamblistëve.

“Ne prinim në shtatë komuna, por u bënë të gjithë bashkë kundër fituesit për ta përmbysur rezultatin”, ka thënë ai duke shtuar se PDK-ja do të pranojë rezultatin, çfarëdo qoftë ai pas numërimit të të gjitha votave me kusht.

Tahiri ka thënë se PDK humbi Mitrovicën me Valdete Idrizin për shkak të rreshtimit “me inat” të LDK-së dhe VV-së krahas Agim Bahtirit të AKR-së.

Në balotazhin e mbajtur më 19 nëntor, PDK arriti të fitojë në Ferizaj, Kaçanik, Shtime dhe Dragash, por humbi në Prizren, Mitrovicë, Klinë, Rahovec, Vushtrri dhe Malishevë. Në Dragash dhe në Prizren për t’u konfirmuar fituesit duhet të pritet numërimi i votave me kusht, pasi rezultati në fund doli shumë i ngushtë, mes fituesve dhe humbësve.