Të artë dhe historik

Të artë dhe historik

Akil Gjakova po mbahej mirë në sekondat e fundit të meçit final ndaj gjeorgjianit Lasha Shavdatuashvilli. Sapo kishte arritur të realizonte një “wazaari” [një pikë në sportin e xhudos, v.j] dhe ishte afër të fitonte medaljen e artë në Grand Prix në Paris.

Gjyqtari dha sinjalizimin për përfundimin e meçit me fitoren e Gjakovës, e 22-vjeçari lëshoi një britmë që jehonte në AccordHotels Arena të Parisit. Ishte momenti tij. Moment çlirimi për Akilin nga Peja, që arriti ta bënte atë që s’e realizoi asnjë kosovar tjetër më parë: fitimin e një medalje të artë për meshkuj në një Grand Prix.

Por, kundërshtari, mënyra dhe momenti i fitores së kësaj medaljeje sot, e bën edhe më frymëzues suksesin e xhudistit kosovar.

Rruga deri tek medalja e parë dhe historike e Kosovës në kategorinë e meshkujve në xhudo, u mbyll pas mposhtjes së një kampioni olimpik, që e gjejmë tek Lasha Shavdatuashvilli. Një ikonë të sportit në Gjeorgji.

Ndërkaq, fakti se ky sukses madhështor erdhi vetëm shtatë ditë para 10-vjetorit të pavarësisë, i jep Kosovës një dhuratë të artë; ashtu siç thotë edhe trajneri i Gjakovës dhe përfaqësueses së Kosovës, Driton Kuka.

“Mbreti i Parisit që flet Shqip sonte! Dhurata për 10 vjet shtet”, shkroi Kuka në rrjetin social Facebook, në një postim të cilit i bashkangjiti edhe një fotografi me Gjakovën.

Edhe tre muaj më parë Akil Gjakova kishte qenë afër fitores të medaljes së artë në garën e “Grand Prix Tunis”. Vetëm një humbje në finale, rezultoi që Gjakova të kënaqej me medaljen e argjendtë, raporton Insajderi.

Por, jo vetëm Akil Gjakova ka arritur të shënojë emrin e vet në historinë e sportit të Kosovës, pasi të njëjtën gjë e ka arritur edhe skitari Albin Tahiri, shkruan Insporti.

Skitari 28-vjeçar nuk do të jetë i pranishëm në festën e pavarësisë së Kosovës në Prishtinë, më 17 shkurt, por ai do të jetë disa qindra kilometra larg duke shkruar historinë e një populli që vetëm 10 vite më parë shpalli pavarësinë.

Tahiri është sportisti i parë që përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike dimërore, të cilat kanë filluar të mbahen në Pyeongchang të Koresë së Jugut.

Madje, përveç historisë që konsiderohet të jetë vet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike për Kosovën, Tahiri ka arritur që të kualifikohet për diciplinën e “downhill” në ski alpine. Të mërkurën dhe të enjtën, Albini kaloi me sukses dy stërvitjet e para në diciplinën më të shpëjtë në Lojërat Olimpike dimërore.

Finalja e “downhill” [lëshimit të shpejtë me ski, v.j], mbahet të shtunën pas mesnate në orën 03:00.

Përveç garës në këtë diciplinë, Albin Tahiri do të garojë edhe në katër diciplina të tjera në Pyeongyang. Të gjitha këto diciplina në ski alpine. /Insporti.com