Të ardhmen e Moratës e vendos Ronaldo

Të ardhmen e Moratës e vendos Ronaldo

Derisa të merret vesh përfundimisht se çfarë vendimi do të marrë Cristiano Ronaldo për të ardhmen e tij, Alvaro Morata do të “mbetet peng” në Madrid.

“Diario Gol” shkruan se sulmuesi spanjoll i ka njoftuar drejtuesit e Real Madridit se dëshiron të transferohet te Manchester United dhe, në fakt, oferta e “Djajve të kuq” për të është pranuar nga madrilenët, por fillimisht duhet konfirmuar qëndrimi i 32-vjeçarit.

Presidenti Florentino Perez dhe trajneri Zinedine Zidane e mirëkuptojnë Moratën dhe do ta lejojnë të luajë në “Old Trafford”, sepse janë të vetëdijshëm se 24-vjeçari ka shumë potencial dhe meriton të jetë titullar në një skuadër të madhe, diçka që nuk e arriti në sezonin e kaluar.

Gjithsesi, lajmet e bujshme se Ronaldo mund të lërë Spanjën pas akuzave për evazion fiskal kanë krijuar një klimë dyshimesh për merkaton e verës, shkruan Telesport.

Nëse portugezi do të vendosë të qëndrojë, atëherë Morata do të shitet dhe mendohet që Real Madridi do të fitojë rreth 70 milionë euro.