“Taktika e fshehjes” që po e përdor Pacolli, sipas Haradinajt

“Taktika e fshehjes” që po e përdor Pacolli, sipas Haradinajt

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për kontaktet e tij me udhëheqësin e Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.

Haradinaj, kandidat për kryeministër të vendit nga koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, ka thënë se te Pacolli po sheh një hezitim për të vepruar.

“Jam pak i habitur nga ky hezitim”, ka thënë Haradinaj në Klan Kosova, duke folur për mosgatishmërinë e AKR’së për bisedime me të.

“Kur isha në VLAN u pëlqeja, i njëjti Ramush jam edhe sot, nuk kam ndryshuar”, është shprehur Haradinaj.

“Kushdo që vjen, le të vijë për hatër të vetvetes, për hatër të Kosovës”, ka thënë i pari i AAK-së.

Ai ka theksuar se oferta që i ka bërë Pacollit dhe AKR-së për bashkëpunim në qeverisjen e vendit është serioze.

Por, Haradinaj ka bërë të ditur se “ka vështirësi në komunikim me Pacollin”. Ai ka thënë se është “i habitur” nga sjelljet e kreut të AKR-së.

Shefi i AAK’së ka vlerësuar se Pacolli dhe AKR “po e përdorin një taktikë të fshehjes”.

Haradinaj ka thënë se dyshon se Pacolli dhe njerëzit e tij të afërt kanë “mosbesim në vetvete”. /Insajderi.com