Takohet Grupi Punues për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Takohet Grupi Punues për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Në Ministrinë e Drejtësisë sot është mbajtur takimi i Grupit Punues për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në të morën pjesë ministrja, Dhurata Hoxha, prokurorja speciale, Drita Hajdari, drejtues të shoqatave që merren me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe zyrtarë të institucioneve që trajtojnë këtë çështje.

Ministrja Hoxha vuri në dukje përkushtimin për zgjidhjen e drejtë të çështjes duke pasur parasysh ndjeshmërinë ndaj çdo rasti pa dallim.

“Ministria e Drejtësisë që nga viti 2015 ka formuar një grup punues për përgatitjen e Planit të Veprimit për Qasje në Drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës duke rishikuar legjislacionin sepse drejtësia nuk duhet të vonohet”, theksoi ministrja Hoxha, duke shtuar se këto krime monstruoze do të ndëshkohen.

Ajo theksoi se çdo viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është tragjedi në vete, duke vënë në dukje se përkrahë fuqishëm zgjidhjen e kësaj çështjeje të ndjeshme duke shprehur gatishmërinë institucionale në lehtësimin e tragjedisë së përjetuar nga këto viktima.

Në takim, prokurorja speciale, Drita Hajdari diskutoi për anën legjislative të çështjes, sfidat dhe angazhimin e trajtimit të kësaj problematike, si dhe vështirësitë ligjore për të ardhur drejtësia në vend.

Pjesëmarrësit diskutuan rreth sfidave të kësaj çështjeje, stigmës por edhe varfërisë që ka prekur viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, modaliteteve të zgjidhjes së çështjes me porosi që krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen kurrë dhe duhet punuar edhe më shumë që këto krime të ndëshkohen./Insajderi.com