Takimi i natës nuk përafron qëndrimet e ditës për demarkacionin

Iniciatori i këtij takimi, Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit Ballkanit për Politika megjithatë tha se as që synon të arrijë një marrëveshje mes partive politike por së paku të ketë një zotim për të punuar së bashku.

Takimi i natës nuk përafron qëndrimet e ditës për demarkacionin

Takimi që u mbajt gjatë së enjtes mbrëma mes përfaqësuesve të partive të pozitës dhe opozitës si tentim për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për demarkacionin me Malin e Zi, nuk rezultoi me sukses. Madje organizatori i këtij takimi tha që as që synon arritjen e një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës.

Njëri nga përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili mori pjesë në takim, Muharrem Sfarqa e vlerësoi si një hap të parë për ti hapur rrugë dialogut që do ta udhëheqin liderët e partive politike por pa dhënë detaje.

Duke folur për KosovaPress, tregoi vetëm se “është aprovuar një deklaratë politike me të cilën partitë politike do të gjejnë konsumues për të ecur përpara procese të Kosovës”.

Deklarata ende nuk është miratuar por sipas raportimeve të medieve ajo tashmë është shkruar dhe pritet që të partitë të pajtohen për publikimin e saj.

Deklarata pritet që të jetë një zotim i të gjitha partive politike për të punuar së bashku në zgjidhjen e çështjeve sikurse demarkacioni me Malin e Zi që ka stagnuar si pasojë e rezistimit të opozitës që akuzon pozitën se po fal territor dhe hapja e rrugës së dialogut me Serbinë, që nënkupton edhe arritjen e një marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë që është pika tjetër që ndanë pozitën dhe opozitën.

Por iniciatori i këtij takimi, Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit Ballkanit për Politika megjithatë tha se as që synon të arrijë një marrëveshje mes partive politike por së paku të ketë një zotim për të punuar së bashku.

Ideja e kësaj deklarate është që të nxitet dialogu i brendshëm politik dhe parimisht është pranuar nga të gjitha palët dhe vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka  rezerva.

Këtë më vonë e tha edhe Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i VETËVENDOSJE!-s, në një intervistë për Interaktiv.

“Alternativa e vetme që demarkacioni të kthehet prapa, dhe të formohet një komision i ri”, ka thënë Molliqaj.

Takimi i mbajtur edhe nën praninë e ambasadorëve të huaj në Kosovë, pritet që të vazhdojë edhe gjatë ditëve të tjera por Rashiti megjithatë nuk pret ndonjë rezultat konkret nga opozita dhe pozita./Insajderi.com