Takimi i Naim Tërnavës me frymëzuesin e Bin Ladenit

Një studiues i fesë islame, i njohur ndërkombëtarisht për nxitje terrorizmi, është takuar në Prishtinë me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava.

Takimi i Naim Tërnavës me frymëzuesin e Bin Ladenit

Librat dhe ligjëratat e Selman el-Aude janë të ndaluara në Arabinë Saudite për shkak të qëndrimeve të tij radikale dhe lidhjeve me ish-liderin e Al-Qaedas, Osama bin Laden në të kaluarën. Por, kjo nuk e ka ndaluar Naim Tërnavën, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, që të pranojë disa prej botimeve të tij.

Më 1 nëntor të këtij viti, Tërnava e kishte pritur në zyrën e tij studiuesin e fesë islame, i cili ndër të tjerash dyshohet se ka lidhje edhe me organizatën terroristë Shteti Islamik.

Në një njoftim për media të publikuar në faqen e BIK-ut, thuhet se Tërnava ka shprehur mirënjohjen e tij “për angazhimin dhe kontributin e Arabisë Saudite  si qeveri dhe popull që i ka dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës e veçanërisht në fazën emergjente si dhe kontributin e pakursyer në lobimin për njohjen dhe integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.”

Selman el-Aude është takuar me Tërnavën gjatë një vizitë të tij në Kosovë për të mbajtur një ligjëratë në Fakultetin e Studimeve Islame.

Insajderi raportoi të premten se drejtues të këtij fakulteti kanë qenë në dijeni të së kaluarës dhe lidhjeve të Selman el-Aude me Bin Ladenin.

“Kanë qenë mysafir të Komunitetit Islam të Shqipërisë, pastaj kanë shprehur dëshirën me ardhë në Kosovë. Pa paralajmërim, në mënyrë private kanë ardhur në Kosovë”, ka thënë Fahrush Rexhepi, dekan i fakultetit.

“E njohim deri diku. Na e dimë që ka mundur në të kaluarën të ketë lidhje (me Al Qaedan v.j.), por tash na e dimë që përkundrazi tani është njëri i Qeverisë, i shtetit dhe kontribuon krejtësisht në të kundërtën dhe ne sa kemi informacione, përkundrazi nëpër botë përmes vizitave dhe paraqitjeve të tij, promovon vlera të tolerancës dhe të paqes dhe njëjtë ka vepruar edhe këtu”, ka thënë Rexhepi./Insajderi.com