Takimi i kundërshtarëve politikë në sallën e gazit

Bllokadat politike në vend shpesh na kanë treguar se në politikë nuk ngulet këmbë, por ‘kërcënohet’ deri në momentin e fundit, dhe më pas bashkëqeveriset. Dikur kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjeve që cilësohen jetike për vendin, tash së bashku kërkojnë alternativë në sallën alternative, ku dikur ‘fshiheshin’ nga gazi lotsjellës.

Takimi i kundërshtarëve politikë në sallën e gazit

Bllokada politike ka përafruar kundërshtarët më të mëdhenj politikë të deri para pak kohësh. Mospajtimet mes tyre çuan deri të hedhja e gazit lotsjellës, hedhja e vezëve ndaj kryeministrit dhe arrestimi i deputetëve.

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e nisi këtë praktikë në Kosovë të paparë deri në atë kohë. Ndezi gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe shëtitej nëpër tym, kurse deputetët tjerë takoheshin grumbull tek hyrje-daljet e sallës duke ikur.

U shfaq nevoja edhe për ndihmë mjekësore. Pati edhe alivanosje të deputetëve. Krejt kjo për t’i kundërshtuar marrëveshjet politike – Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.

Disa herë u veprua në të njëjtën mënyrë nga deputetët e opozitës asokohe. Kjo bëri që të ndërhyjë edhe sigurimi i Kuvendit – madje krijuan edhe kordon para kabinetit qeveritar dhe kryetarit të Kuvendit.

Sigurimi assesi nuk arrinte ta parandalonte futjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit, edhe pse, përveç detektorit, kontrolloheshin edhe në detaje nga pjesëtarët e sigurimit.

Mundësia e vetme mbeti mbajtja e seancës në një sallë tjetër.

Salla alternative

Administrata nisi ta përgatiste një sallë tjetër e cila gjendet në katin e fundit të ndërtesës së Kuvendit. Një sallë e improvizuar dhe aspak e zakonshme për mbajtjen e seancave.

Pas dështimit të sërishëm të seancës në sallën e rregullt, deputetët nisën të ngjiteshin në katin lart për ta vazhduar seancën në sallën e improvizuar. Aty nuk lejoheshin të marrin pjesë deputetët e opozitës, për shkak të rrezikut se sërish mund të hedhin gaz lotsjellës.

As në këtë sallë, partitë që qeverisnin me vendin prapë nuk arritën ta ratifikojnë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në njërën nga mbledhjet u dha leje edhe deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në sallën alternative.

Deputetja e Vetëvendosjes Besa Baftiu hodhi gal lotsjellës dhe ndërpreu mbledhjen e Kuvendit.

Situata politike vështirësohej – gaz lotsjellës u hodh edhe në njërën prej mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit, duke pamundësuar punën e tyre. Ishte deputetja e Vetëvendosjes Aida Dërguti që e bëri këtë.

Disa deputetë të opozitës u arrestuan, dolën para gjyqit dhe iu caktuan masat – dikush në paraburgim, e dikush në arrest shtëpiak dhe disa u lanë të lirë pas intervistimit.

Takimi i kundërshtarëve në sallën e gazit

Qeverisja PDK-LDK nuk po shkonte mirë, nisën polemikat mes partnerëve të koalicionit duke kritikuar për mospunë dhe e bllokadë politike.

U bën disa muaj dhe Kuvendi nuk arriti të miratonte asnjërën prej marrëveshjeve jetike për vendin, sidomos Demarkacionin me Malin e Zi, i cili është kusht për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

Opozita vazhdonte të kërkonte zgjedhje. Nuk shkoi gjatë dhe erdhën zgjedhjet. Këtë e mundësoi vetë PDK-ja si partneri më i madh i koalicionit.

Por zgjedhjet sollën ndryshime të mëdha. PDK-ja humbi shumë si parti, por arriti t’i fitojë zgjedhjet përmes koalicionit me AAK-në dhe Nismën.

Numri i deputetëve të fituar nuk po u mjaftojnë për t’i themeluar institucionet. Janë vënë në gjah të disa deputetëve të partive tjera.

Në anën tjetër, koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA) dhe Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që kanë nisur bisedimet për përafrim të qëndrimeve. Ato presin dështimin e PAN-it dhe më pas ta provojnë themelimin e institucioneve.

E drejta e PAN-it për ta propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe bojkotimi i seancave nga deputetët e tyre, ka bërë që LAA t’i ftojë Vetëvendosjen dhe partitë minoritare, por jo edhe koalicionin PAN.

Takimi është caktuar që të mbahet në sallën alternative të Kuvendit – aty ku për shkak të Vetëvendosjes dhe disa partive tjera opozitare, LDK-ja që është pjesë e koalicionit LAA, detyrohej të shkonte në këtë sallë për t’i ikur gazit lotsjellës.

Në këtë takim LAA dhe Vetëvendosje, bashkë me ekspertë të fushës kushtetuese dhe nga shoqëria civile, do të provojnë të gjejnë argumente për të dalë nga bllokada politike dhe për të nxjerrë pyetje të cilat do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim.