Takimi jashtë agjende i zyrtarit amerikan me presidentin Thaçi

Takimi jashtë agjende i zyrtarit amerikan me presidentin Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka arritur që të takojë Zëvendësndihmës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, edhe pse një takim mes dy palëve nuk ka qenë i paraparë të ndodhë.

Bazuar në agjendën e vizitës së zyrtarit amerikan, të dërguar mediave nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, nga tre liderët kryesorë të shtetit, Hoyt Yee ka planifikuar të takohet vetëm më Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, por jo edhe me kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Thaçi.

Përveç Veselit, amerikani planifikonte  që gjatë vizitës dy-ditore në Kosovë të takohej edhe me Zëvendëskryeministrin Branimir Stojanovic, Ministren për Dialog, Edita Tahiri, si dhe Ministrin e FSK-së, Haki Demolli.

Por, Hoyt Yee nuk ka arritur të shmangë presidentin, të cilin e ka takuar në një restorant në Prishtinë.

Sipas një njoftimi të presidentit, ata janë dakorduar për veprime konkrete për disa prioritete të Kosovës, përfshirë këtu edhe themelimin e ushtrisë.

“Ne u pajtuam për veprimet konkrete drejt realizimit të prioriteteve kryesore për Kosovën, që ndërlidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, fillimin e punës për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë Thaçi pas takimit.

Por, gjatë një takimi që ka pasur me Ministrin e FSK-së, Haki Demollin, zyrtari amerikan ka thënë se shteti i tij është i shqetësuar me nismën e formimit të ushtrisë pa bërë ndryshimet kushtetuese./Insajderi.com