Takimet e presidentit me njeriun që e ‘akuzon’ për kidnapimin e vëllait

Pas 18 vjetësh kishte arritur ta takonte Hashim Thaçin, për të cilin vazhdon të mendojë se ka informacione për kidnapimin e vëllait të tij nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë luftës në vitin 1998. Por asnjëherë nuk arriti ta mësonte të vërtetën. Kishte provuar ta takonte gjatë luftës, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, por kishte dështuar pa asnjë sqarim.

Takimet e presidentit me njeriun që e ‘akuzon’ për kidnapimin e vëllait

Milorad Trifunoviç i cili udhëheq shoqatën e të zhdukurve serbë në Kosovë, kishte provuar gjatë luftës ta takonte Hashim Thaçin – asokohe lider i UÇK-së, për ta pyetur se kush e ka kidnapuar vëllanë e tij bashkë me tetë shokë të tjerë. Por nuk kishte arritur. Thaçi ishte shprehur i gatshëm që, me ndërmjetësimin e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë asokohe, Wiliam Walker, të takohej, por kishte dështuar pa ndonjë sqarim.

Por takimin e parë me Hashim Thaçin – tash në pozitën e presidentit të vendit, e kishte realizuar në nëntor të vitit të kaluar në kuadër të takimeve që organizonte me të gjitha shoqatat e të zhdukurve në Kosovë.

Ndonëse ishte ndarë i kënaqur me pritjen dhe premtimet e tij, ai vazhdon të dyshojë se presidenti Thaçi ka informacione se kush ia kidnapoi vëllanë.

Milorad Trifunoviç kishte rrëfyer për dokumentarin “Gjahu i UÇK-së” në ZonaExpress për tentimet e tij për ta takuar liderin e UÇK-së, Hashim Thaçi.

“Vëllai im u zhduk më 22 qershor të vitit 1998 në Bellaçevc. Ai u zhduk bashkë me nëntë kolegë të vet”, kishte deklaruar ai.

Megjithatë, Trifunoviç vazhdon të besojë se Thaçi ka informacione rreth zhdukjes së vëllait të tij.

“Dhe sot e kësaj dite mua askush s’mund të më bindë se ai s’e di. Ja ku i kam emrat e atyre kush i kidnapoi serbët”, kishte thënë ndër tjera ai në këtë dokumentar.

Thaçi sërish u pa sy më sy me atë që e akuzon për zhdukjen e vëllait

Presidenti Thaçi sërish u takua sot me njeriun që hedh dyshime ndaj tij për zhdukjen e vëllait të vet.

Në një konferencë të organizuar sot nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, presidenti Thaçi dhe Trifunoviç, ishin pjesë e panelit diskutues.

Presidenti premtoi se do të angazhohet për zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve në Kosovë.

“Çështja e të pagjeturve është çështje humanitare dhe politika, qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare, duhet të qëndrojë larg kësaj teme”, theksoi presidenti Thaçi.

Zotim të ngjashëm Thaçi kishte dhënë edhe në takimin e parë që kishte pasur me Trifunoviçin pas 18 vjet pritjeje.

“Jam zotuar para jush, z. Çerkini dhe z. Trifunoviq, dhe e përsëris edhe sot, se personalisht do të angazhohem edhe më fuqishëm që të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve në Kosovë dhe të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për të gjithë ne”, ka thënë më tej Thaçi gjatë kësaj konference.

Mbi  këtë bazë, Thaçi ka thënë se është i bindur për nevojën për të iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim në Kosovë. Ky mekanizëm, sipas tij, do të ndihmojë që të realizohet e drejta e viktimave por edhe të gjithë qytetarëve që të dinë se çfarë ka ndodhur me ta dhe me të dashurit e tyre./Insajderi.com