Takimet biznesore të Azem Sylës në picerinë “Fluri”  

Florim Prapashtica i ka parë të gjitha takimet e Azem Sylës me anëtarët e grupit të tij. Ai është pronar i picerisë “Fluri” që ndodhet përballë Fakultetit Teknik në Prishtinë. Ai i ka dhënë një përshkrim të hollësishëm Prokurorisë për aktivitetet e Azem Sylës, Shaban Sylës, Shpresim Ukës, Nazim Bllacës, Fahredin Gashit e Driton Hajdarit. Grupi i Azem Sylës është përshkruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës si familje.

Takimet biznesore të Azem Sylës në picerinë “Fluri”   

Azem Syla përshkruhet se si ulej në qoshe në picerisë “Fluri”. Askush nuk guxonte t’i afrohej nëse nuk ishte i ftuar.

Anëtarët e grupit uleshin një nga një në tavolinë për t’i raportuar për biznesin milionësh të tokave. Secili që do të ulej në takim me Azem Sylën, së pari duhej të legjitimohej nga shoferi i tij, Arton Vila.

Telefonat, çelësat e gjësendet tjera mblidheshin nga Arton Vila, futeshin në një çantë dhe largoheshin prej tavolinës. Kjo ishte si masë parandaluese e incizimit të bisedave.

Florim Prapashtica i ka parë të gjitha takimet e Azem Sylës me anëtarët e grupit të tij. Ai është pronar i picerisë “Fluri” që ndodhet përballë Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Prapashtica është dëshmitari kyç kundër Azem Sylës. Ai i ka dhënë një përshkrim të hollësishëm Prokurorisë për aktivitetet e Azem Sylës, Shaban Sylës, Shpresim Ukës, Nazim Bllacës, Fahredin Gashit e Driton Hajdarit.

Grupi i Azem Sylës është përshkruar nga Prokuroria Speciale e Kosovës si familje.

“Azem Syla, i njohur si Daja, është kreu i familjes dhe ka qenë udhëheqësi kulmor i këtij grupi kriminal të organizuar për shumë vite”, shkruan në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për ish-deputetin Syla.

Dosjen hetimore e ka siguruar Insajderi.

“Aktivitetet e grupit të organizuar kriminal janë të lidhur me biznesin e tokave. Shpresim Uka dhe Shaban Syla janë anëtarët të lartë dhe bashkëthemelues të pjesës së grupit që merret me toka”, pretendon Prokuroria.

Syla dyshohet se ka siguruar financat fillestare për grupin. Fahredin Gashi dhe Nazim Bllaca përshkruhen si anëtarë të rangut të lartë të këtij grupi të përfshirë në nivelin që ishte drejtpërdrejtë nën Shpresim Ukën dhe Shaban Sylën.

“Shpresim Uka dhe Shaban Syla i kanë thënë Nazim Bllacës së paratë për të financuar biznesin e tokave kishin ardhur nga Azem Syla – fillimisht 50 mijë euro dhe pas kësaj janë përmendur shuma tjera të mëdha parash”, pretendon Prokuroria.

Dëshmitari tjetër, Fatmir Prapashtica, ka konfirmuar se Azem Syla ishte përgjegjësi kryesor i grupit. Prapashtica ka thënë se Azem Syla ishte në dijeni për biznesin e tokave dhe mbante të tjerët nën kontroll, por nuk përzihej në dokumente dhe çmime.

Prokuroria thekson se Shaban Syla ishte personi kyç në lidhjet me biznesin e tokave, por që të dy, Shaban Syla dhe Shpresim Uka, ishin figura udhëheqëse në këtë grup. Fatmir Prapashtica ka thënë se pasi që biznesi i tokave filloi, Shaban Syla u bë i pasur.

Prokuroria ka thënë se Nazim Bllaca ishte përgjegjës për shitjen dhe njerëz tjerë të cilët ishin të njoftuar mbi biznesin e tregtimit të tokave ishin të përfshirë në këtë biznes.

“Takimet e rregullta të grupit mbaheshin në picerinë ‘Fluri’, në pronësi të Fatmir Prapashticës në Bregun e Diellit, përballë Fakultetit Teknik. Azem Syla ulej në një qoshe dhe kohë pas kohe i ftonte anëtarët e grupit një nga një në tavolinën e tij duke kërkuar për ta njoftuar për të rejat.

Dëshmitari Fatmir Prapashtica ka thënë se ka qenë e pamundur që dikush të ulej në tavolinën e Azem Sylës pa qenë i ftuar prej tij.

“Kur një person është thirrur për të biseduar me Azem Sylën, Syla e ka thirrur Arton Vilën, shoferin, duke ia dorëzuar çantën e tij dhe telefonat si dhe telefonat e njerëzve tjerë të cilët do të uleshin në një qoshe ose pranë banakut”, pretendon Prokuroria.

Prokuroria thotë se anëtarët e grupit diskutonin në picerinë e Prapashticës në mënyrë të hapur dhe lirshëm. Dëshmitari i kishte parë anëtarët e grupit duke diskutuar dhe duke përgatitur dokumentacionin që duhet të dorëzohej në Gjykatën Komunale dhe në Zyrën Kadastrale. Ai deklaroi se toka ishte në Llapnasellë dhe Çagllavicë dhe se ajo kishte qenë e serbëve.

Prapashtica kishte parë shumë dokumente në gjuhën serbe përfshirë vendimet gjyqësore.

Driton Hajdari është anëtar i grupit i cili qëndron në një nivel më të ulët në hierarkinë gjatë aktiviteteve të cilat janë hetuar. Ai ka njohuri të plotë mbi aktivitetet e grupit, duke qenë i pranishëm në takimet e rregullta në picerinë “Fluri”.

“Ai ka ndjekur urdhrat e grupit sa herë i janë dhënë. Mori pjesë nga fitimet e grupit. Driton Hajdari ishte gjithashtu i përfshirë në administrimin e takimeve të frikësimit në rast se ato ishin të nevojshme”, pretendon Prokuroria.

Azem Syla i ka mohuar të gjitha këto pretendime. Ndërkohë, po mbahet një seancë për caktimin e paraburgimit. Prokuroria ka kërkuar 30 ditë si masë të nevojshme për të mos pasur ndikim në proces hetimor dhe në dëshmitarë.

Insajderi sjell ndërkohë detaje të transaksioneve, të ryshfeteve dhe pagesave milionëshe. Do të shihni se si janë korruptuar zyrtarët e Gjykatës dhe të AKM-së./Insajderi.com