“Oferta interne” e PDK-së, e refuzuar nga AKR-ja në Ferizaj

“Oferta interne” e PDK-së, e refuzuar nga AKR-ja në Ferizaj

Kryetari i degës së Aleancës Kosova e Re (AKR) në Komunën e Ferizajt, Labinot Tahiri ka thënë se AKR-ja pranoi ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për koalicion në Ferizaj, pasi sic tha ai, kjo marrëveshje është bërë publikisht.

Tahiri, në një prononcim për Insajderin, ka thënë se AKR-ja ka pasur ofertë edhe nga kandidati i PDK-së, Agim Aliu, por që “oferta e tij ka qenë interne” dhe për këtë arsye partia e tij s’e ka pranuar.

“Ne kemi kërkuar që të kemi ofertë konkrete edhe nga Agim Aliu dhe të jetë e publikuar për opinionin. Ata kanë dashur të bëjnë ofertë interne, por unë nuk mundem me punu me oferta interne. Partia dhe z.Pacolli kërkon që të jetë cdo gjë publike”, i ka thënë Tahiri, Gazetës Online Insajderi.

Ai ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kandidatit të AKR-së për kryetar të Ferizajt, Amir Rexhepi, i cili ka thënë se nuk është pyetur nga dega e partisë për marrëveshjen e koalicionit me LDK-në.

“Unanimisht ka votuar dega jonë në Ferizaj, për të shkuar në koalicion me LDK-në. Në bazë të ofertës që kemi, kjo ofertë është për publikun. Normalisht miratimi i Behgjetit është ‘amin’ për sa i përket anës time dhe partisë”, ka thënë Tahiri.

Fakti që AKR-ja ka votuar për koalicionin PAN në formimin e qeverisë dy muaj më parë, dhe sot në Ferizaj ka nënshkruar një marrëveshje me partinë opozitare parlamentare, LDK-në, për nënkryetarin e AKR-së nuk është proces negativ.

“Mos të harrojmë që unë jam përkrahës i PAN-it që e kam votuar në Parlament, por erdhi momenti që të jemi koalicion me LDK-në; s’do të thotë gjë e keqe”, deklaroi Tahiri.

AKR-ja dhe LDK-ja nënshkruan sot një marrëveshje koalicioni për garën e balotazhit në Komunën e Ferizajt.

Dy kandidatët që do të shkojnë në balotazh në Ferizaj janë: Agim Aliu nga PDK dhe Muharrem Sfarqa nga LDK. /Insajderi.com