Tahiri thotë se dialogu me Serbinë tash duhet të bëhet sikur “bisedimet e Vjenës”

Tahiri thotë se dialogu me Serbinë tash duhet të bëhet sikur “bisedimet e Vjenës”

Sekretari i Përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës i ka thënë Radio Kosovës se pas lirimit të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, kanë pushuar rrethanat të cilat kishin sjellë deri te pezullimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me fjalë të tjera me automatizëm përsëri është hapur rruga për rifillimin e dialogut në Bruksel.

Një lajm të tillë e ka konfirmuar edhe ministrja për Dialog, Edita Tahirit.

“Me faktin se është liruar zoti Haradinaj ku është shënuar edhe një fitore ndaj Serbisë, tashmë është hequr vendimi për pezullimin e dialogut me Serbinë që ishte bërë me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe procesi ka filluar në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura që janë në pritje të zbatimit”, ka thënë Tahiri për Radio Kosovës.

Ndërsa, për sa i përket vazhdimit të dialogut, Tahiri mendon se tani duhet të flitet për zhvillim të dialogut në dy nivele: Niveli i parë është që të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve që kanë mbetur pa u zbatuar, kurse ndërkohë të përgatitet një proces politik i nivelit të lartë me të cilin ne duhet hyrë në fazën e tretë, që do të jetë dhe faza përmbyllëse e dialogut me Serbinë.

Madje Tahiri ka ofruar edhe një ide sesi mund të zhvillohet dialogu. Ka përmendur bisedimet e Vjenës që janë mbajtur për statusin e Kosovës.

“Mendoj se duhet të jetë niveli më i lartë i vendit dhe më gjithëpërfshirës, pra një delegacion gjithëpërfshirës, diçka e ngjashme siç ka qenë në bisedimet e Vjenës…”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, synimi i Kosovës nga ky dialog është që të arrihet njohja reciproke mes dy shteteve.