Tahiri: Rama kampion, sërish kryeministër

Tahiri: Rama kampion, sërish kryeministër

Saimir Tahiri mblodhi strukturat e degës lokale të Partisë Socialiste të Tiranës, ku përveç se kërkoi angazhim për zgjedhjet e 18 Qershorit, duket se dha edhe një mesazh për LSI-në, pasi ministra dhe zyrtarë të saj janë deklaruar ditët e fundit se duan Ilir Metën Kryeministër pas zgjedhjeve.

“Mbi të gjitha kemi një lider, Edi Rama, Kryeministri sot dhe për kë nuk e ka kuptuar ende, Kryeministër edhe pas 18 Qershorit, sepse Partia Socialiste jo vetëm do fitojë, por do fitojë në mënyrë spektakolare”, deklaroi ai.

Ai falënderoi të gjithë qytetarët për besimin që i dhanë gjatë mandatit si numri një i Ministrisë së Brendshme.

‘”Të punosh ja vlen më shumë se sa të flesh gjithë ditës. Sa më e madhe është  pengesa aq më e madhe është  fuqia për të punuar për Tiranën dhe Shqipërinë. Unë jam krenar për çfarë kemi arritur bashkë dhe që deri dje nuk mendohej. Ashtu si i detyrohem çdo qytetari në Tiranë dhe çdo cep të Shqipërisë me sinqeritet një ndjesë për çfarë nuk kam mundur të bëjë sepse mundësia ka qenë më e pakët se sa dëshira dhe vullneti im. Përulem me respekt dhe shumë mirënjohje për besimin dhe forcën që më dhatë’’, ka thënë Tahiri njofton TCH

Tahiri shprehu besim se Fatmir Xhafa do ta kryejë detyrën e tij më së miri.

“Dua t’i uroj suksese Fatmir Xhafës, kolegut tim për një kohë të gjatë në Komisionin e Ligjeve. Jam i sigurt Fatmiri do bëjë më të mirën në Ministrinë e Brendshme për të vazhduar gjithçka kemi nisur bashkë që ditën e parë të detyrës sonë”, vijoi ai.

E duke iu referuar protestës së opozitës, Tahiri u shpreh se në çadër ndodhen ata që mbajnë Shqipërine peng dhe mbrojnë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

‘”Dje u mbushën 9 vjet nga përvjetori i Gërdecit, e ata që lanë 26 të vrarë, nuk kanë dhënë ende llogari, por janë mbledhur në çadër për të mbrojtur njëri-tjetrin, e të gjithë bashkë për të mbrojtur gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Historia i përbuzi, shqiptarët i injoruan, drejtësia i fali, por 18 qershori nuk do i fali. Ata që vranë e nuk u dënuan, ata që vodhën e shpëtuan, ata që sot rrinë në çadër e kujtuan se gjithë Shqipërinë do e fusin në çadër, do marrin faturën më shembullore, bashkë me drejtësinë e korruptuar që po mbajnë peng. Shqipëria nuk do kthehet pas. E shkuara nuk do mbaj peng të ardhmen’’, u shpreh Tahiri./Insajderi.com