Tahiri i quan Habilajt trafikantë ordinerë

Tahiri i quan Habilajt trafikantë ordinerë

Ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i ka quajtur trafikantë ordinerë anëtarët e bandës së Habilajve, disa prej të cilëve u arrestuan në Itali, si pjesë e një bande të trafikut ndërkombëtar të drogës, të kryesuar nga Moisi Habilaj, kushëri i largët me Tahirin.

Në përgjimet nga autoritetet italiane Habilaj përmend emrin e Tahirit si person që e mbështet dhe të cilit i detyrohet shuma të konsiderueshme parash. E po ashtu, në bisedat e përgjuara me trafikantët Habilaj thotë se Tahiri fiton 5 milionë euro në muaj, ndërsa anëtari i bandës ja kthen se ministri i harxhon të gjitha për fushatë.

Por ish-ministri Tahiri i ftuar në Opinion tha se është e palogjikshme të besosh këto përgjime, duke ju referuar këtu faktit që përgjimi është bërë në 2013-ën, në muajt e parë në detyrën e ministrit.

“Dy trafikantë në nivele ordinere që i thonë njëri tjetrit për ministrin e brendshëm që dy muaj pasi ka marrë postin ka bërë 5 milionë euro në muaj, pavarësisht se i kam kushërinj të largët, është aq banale aq idiotësi dhe aq e pavërtetë sa s’ka nevojë as për koment më tutje”, tha Tahiri.