Tahiri: Marrëveshja për targat është arritur- kishte tendenca për t`u heshtur

10.09.2016 13:39
Tahiri: Marrëveshja për targat është arritur- kishte tendenca për t`u heshtur

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, edhe një herë ka thënë se është arritur marrëveshja për reciprocitet sa i përket targave me Serbisë.

Ajo thotë se ka mbetur  pa u finalizuar pjesa e marrëveshjes që ka të bëjë me ndalimin e përdorimit të tarafeve ilegale në Veri të Kosovës.

“Vetëm nuk kam pranuar të mbahet e mbyllur arritja e marrëveshjes. Ka pasur preferenca: u krye marrëveshja por mos e komunikoni. Opinioni në Kosovë mezi po pret se çka po ndodh me tabelet “proba”. Marrëveshja është arritur dhe gjithçka do të jetë reciproke me Serbinë”, ka thënë Tahiri, për Express, të shtunën.

“E vërteta është se marrëveshja për reciprocitet për targat e automjeteve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, është arritur. Pas bisedimeve nëntë orëshe ne jemi dakorduar se tashmë hiqen targat me “proba” që përdoreshin për t’i mbuluar targat “RKS” të Republikës së Kosovës. Është arritur marrëveshja se gjithçka do të jetë reciproke edhe për veturat që vijnë nga Serbia në Kosovë edhe për ato që shkojnë kah Kosova në Serbi”, ka shtuar ajo.

Udhëheqësja e ekipit të Kosovës në dialog me Serbinë ka komentuar edhe deklaratën e Zëdhënëses së Mogherinit, Maja Kocijancic, e cila demantoi Tahirin duke thënë se marrëveshja ende s’është arritur.

Megjithëkëtë, Edita Tahiri ka thënë se ka pasur tendenca që të mbahet e mbyllur, por nuk ka pranuar, duke treguar publikut për pjesën e marrëveshjes së arritur.

“E kam lexuar një deklaratë të zonjës Kocijancic. Mund t’ju them se ajo ka folur sepse marrëveshja e ka edhe një pjesë tjetër. Pjesa tjetër që ende nuk është mbërritur është heqja e targave ilegale që përdoren aty-këtu në veri të vendit tonë. Kjo pjesë e marrëveshjes ende nuk është mbërritur. Ajo me gjasë ka menduar se duhet të deklarohemi kur të mbërrihet krejt marrëveshja”, ka shtuar ajo.

Pas kësaj marrëveshje, Tahiri ka thënë se pret të pajtohen edhe për ndalimin e targave ilegale të Serbisë që përdoren në disa pjesë të Kosovë.

Nëse s’arrihet kjo marrëveshje, ajo ka paralajmëruar se do t’i ndalin autoritetet e Kosovës ato targa.

Tahiri ka komentuar edhe fyerjet që i janë bërë nga analistë e zyrtarë të Opozitës. Ka thënë se edhe herë të tjera është demantuar, por, në fund përsëri ka dalë versioni i saj për marrëveshjet me Serbinë.

“Ky nuk është rasti i parë kur unë kam lajmëruar se është arritur marrëveshja. Ka pasur demante. Por, e fundit ka dalë ashtu siç kam thënë unë. Në këtë dialog punoj në mënyrë transparente. Në takimin ku është arritur marrëveshja kanë marrë pjesë delegacione – i Kosovës, i Serbisë dhe i BE’së – po flasim për delegacione ku është arritur marrëveshja”, ka shtuar ajo.