Tahiri kishte udhëtuar nga Greqia me automjetin e Habilajve

Tahiri kishte udhëtuar nga Greqia me automjetin e Habilajve

Fjala e prokurorit Hajdarmataj ne mbledhjen e komisionit të mandateve: Kemi hetuar prej kohësh vëllezërit Habilaj dhe kemi kuptuar që me ta bashkëpunonin edhe punonjës të Policisë Vlorë, të cilët janë ende nën hetim.

Pas ndalimit të Moisi Habilajt ne kemi nisur një tjetër hetim, për personat që ishin të përfshirë në hetimin e policisë italiane, mes të cilëve edhe deputeti i republikës së Shqipërisë Saimir Tahiri.

Nga të dhënat e bëra publike, rezultonte se kishte biseda komprometuese, lidhur me deputetin Tahiri. Qoftë për pjesëmarrjen në grup kriminal, por edhe për faktin që aty flitej për dhënie dhe marrje mite, që bën pjesë në korrupsionin pasiv.

Ne do vazhdonim hetimin në fshehtësi të plotë, por duke qenë se faktet u bënë publike, u detyruam të ndërhyjmë në fshatin Babicë. Duke qenë se këta persona e ushtronin aktivitetin në fshehtësi të plotë, ne krijuam dyshimin , referuar edhe nga bisedat e përgjuara, që në rastin konkret krijohet lidhja dhe dyshimi i arsyeshëm që në këtë aktivitet është i përfshirë edhe deputeti Tahiri.

Kemi bërë verifikime, që jam i bindur që as autoritet italiane e shqiptare nuk i kanë, kemi verifikuar të dhëna që përforcojnë dyshimin që realisht ato biseda.

Duke bërë verifikime në sistemin Tims dhe kemi verifikuar që deputeti Tahiri gjatë vitit 2013, duke patur në pronësi një automjet të tij, qe ja kishte shitur njërit nga vëllezërit Habilaj.

Ky automjet është përdorur nga Tahiri gjatë viteve 2013-2014. Deputeti ka udhëtuar kryesisht në Greqi dhe gjatë kësaj kohe automjeti i është dërguar nga njëri prej vëllezërve Habilaj në Greqi dhe me këtë automjet është kthyer Tahiri.