Paqja e paqenë: Liria?...

17.08.2017 14:31

Ta mbrojmë UÇK–në nga kriminelët!

Insajderi

Insajderi Xhevdet Pozhari

19.08.2017 20:14

Lejimi që UÇK–ja të pronësohet vetëm nga disa individë të pushtetshëm dhe të korruptuar deri në palcë, do të ishte gjymtim i pafalshëm i sakrificës dhe historisë tonë si popull.

Ta mbrojmë UÇK–në nga kriminelët!

Nata është mbulesa më e përsosur për frikacakët. Si hiena, mblidhen grumbull dhe ushqejnë “burrërinë” e tyre që nuk e kanë pasur kurrë. Të tillë ishin sulmuesit e Parim Ollurit, gazetarit që fitoi një mori çmimesh gazetareske për artikujt që zbardhnin skema kriminale, drejtorit të mediumit që publikoi në plotëni bisedat e e aferës së përgjimeve të njohur në opinion si “Klani Pronto”, apo “Dosja e shefave”. Për më tepër, këta “trima” që veprojnë natën në grup, sulmuan në prani të bashkëshortes gjë që zbërthen dy qëllime: tendencën për ta poshtëruar deri në fund gazetarin që kishte ngritur shumë tema dhe kishte sensibilizuar opinionin për lloj- lloj aferash korruptive, duke nisur nga perandoria multimilionëshe e vëllezërve të Hashim Thaçit, e kështu me radhë.

Parimi nuk ka thënë në shkrimet e tij asgjë më shumë se sa atë që e shohim ne çdo ditë si shoqëri dhe për arsye të ndryshme, e heshtim dhe nuk e themi. Ose e pëshpërisim me zë të ultë nëpër kafene, ku zhurma e muzikës e pamundëson depërtimin e fjalëve nga njëra tavolinë tek tjetra. Sepse qëmoti të vërtetat në Kosovë thuhen me drojë ngaqë shqiptarët, në përgjithësi, nuk ngurrojnë ta tregojnë “trimërinë” ndaj të vetit.

Sot të gjithë jemi dëshmitarë të shumëfishimit të pasurisë së politikanëve, përfshirë këtu edhe të atyre që njihen si “krahu i luftës”. Nuk është e largët koha kur “sheherlitë” ndjeheshin të pasigurtë nga ata që paslufte mbushën mbishkrimet e banesave dhe shtëpive me mbishkrimet, “Mos prek, UÇK!” Mbishkrim i cili do të tingëllonte si paralajmërim i kobshëm për disa ish komandantë, të cilët duke u mbuluar me emblemën e shenjtë të UÇK-së, do ia mësynin pushtetit që të ndërtojnë “hajnokracinë”. Dhe, sot, këta profiterë të luftës të cilët Kosovën e konsiderojnë si “plaçkë” e “hise” që u takon, janë rrekur që të bëjnë të pamundurën – të përvetësojnë vlerat e shenjta të qëllimit dhe idealit që kishte “UÇK”.

Në ndërkohë, të gjithë duhet ndërmendur betimin e harruar e të shenjtë të UÇK – së “për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre”. Siç duhet thënë edhe të vërtetën se disa nga ata që bartin në krahë emblemën e shenjtë të UÇK –së, e të cilët pas luftës hynë në politikë, qëmoti kanë devijuar nga betimi se do të jenë të gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën të luftojnë për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut – pjesë kjo e betimit.

Të tillëve, duhet rikujtuar edhe pjesën e fundit të betimit që kanë bërë me gojë të tyre – Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im”.
Referuar këtij betimi, bashkimi i trojeve shqiptare asnjëherë nuk ka qenë pjesë e agjendës politike të pushtetarëve që udhëhoqën me Kosovën gjatë këtyre viteve dhe i takonin krahut të luftës.

Po ashtu, duhet ndërmendur se falja e tokës Malit të Zi dhe krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është tradhtia më e madhe që mund t’i bëhet vendit dhe se tani nuk ndodh asgjë më shumë sesa që i zë mallkimi i fëmijëve të dëshmorëve dhe se nuk kanë si të ikin nga ndëshkimi që vjen nga populli që ushqeu dhe mbajti UÇK – në.

Lejimi që UÇK – ja të pronësohet vetëm nga disa individë të pushtetshëm dhe të korruptuar deri në palcë, do të ishte gjymtim i pafalshëm i sakrificës dhe historisë tonë si popull. Përkundrazi, ashtu si u ndëshkuan me votë, njëjtë do të vazhdojnë të ndëshkohen e tc kërkohet dhënie llogari nga ata që e plaçkitën këtë vend në një kohë kur të rinjtë e braktisin vendlindjen pa menduar dy herë, ndërsa gjeneratat më të vjetra varen nga lëmosha e pensionit.

Kosova nuk ka qenë dhe kurrë s’do të jetë vetëm e tyre, e më së paku do të lejojmë të trajtohet si “plaçkë e luftës”. Mbi të gjitha, Kosova është e brezave që do të vijnë. E atyre brezave që çdo ditë, politikanët e korruptuar – duke u thirrë edhe në emër të “vlerave të luftës” – po ua zhdukin të ardhmen. E, ne gazetarët do të jemi gjithmonë këtu për t’i raportuar veprimet e juaja, cilado do qofshin ato sepse të vërtetën as mund ta ndalësh, as mund ta vrasësh.