Ta fitosh azilin me 200 euro – policët në Shqipëri përfshihen në skandal

Ta fitosh azilin me 200 euro – policët në Shqipëri përfshihen në skandal

Fiks Fare solli mbrëmjen e së mërkurës një skandal që ndodh në Policinë e Shtetit shqiptar. Fakte për mënyrën sesi funksionon nxjerrja e vërtetimeve të firmosura nga inspektorët e policisë, me të cilat shumë shtetas shqiptarë kërkojnë  azil në vendet e BE-së.

Inspektori i komisaritit nr.1 të Policisë së Tiranës bën pazar dhe premton nxjerrjen e një vërtetimi për të lehtësuar procedurat e një qytetari shqiptar që kërkon azil në një nga vendet e BE-së. Lekë Marku, me detyrë inspektor i policisë në komisariatin nr.1 të Tiranës pranon se ka nxjerrë vërtetime të tilla dhe premton që të nxjerrë një vërtetim të ri, por “është shumë e vështirë, sepse luan me vendin e punës”.

Pas ezaurimit të vërtetimeve që dikur shqiptarët merrnin nga shoqatat e pajtimit të gjaqeve për të përfituar azil, tashmë është gjetur një tjetër skemë. Kësaj radhe punonjësi i policisë së shtetit kundrejt pagesës prej 200 euro të jep një dokument ku “vërtetohet” se je i përfshirë në konflikte në Shqipëri dhe jeta jote rrezikohet ne këtë vend.

Skandali është filmuar nga Fiks Fare, që nga pazari e deri te blerja e dokumentit brenda ambienteve të komisariatit të policisë.

Kamerat e Fiksit ndoqën për disa ditë me radhë të gjithë “procedurat” për të marrë një dokument të tillë. Ky vërtetim lëshohet në formë procesverbali të mbajtur mes punonjësit të policisë dhe qytetarit.

Në Fiks Fare u ankua një djalë i ri, i cili tregoi se një vit më parë i ishte drejtuar një inspektori policie për të bërë letrat që të fitoje azil. Shuma e kërkuar nga inspektori i policisë ishte 200 euro. “Dua të denoncoj rastin e një polici të korruptuar që lëshon vërtetime për azil kundrejt parave, nuk kam asgjë personale me të por thjeshtë e denoncoj si rast korrupsioni”, thotë denoncuesi.

Takimi i parë me inspektorin e policisë Lekë Marku

Menjëherë pas denoncimit , qytetari telefonon inspektorin e policisë.
Në telefonatën e parë denoncuesi i prezantohet inspektorit me emër dhe mbiemër dhe ky i fundit e njeh edhe pse kishte kaluar një vit nga takimi i tyre. Punonjësi i policisë i lë takimin 5 minuta pas telefonatës në makinën e tij.

“Jam me një ‘Passat’ gri kam ndez bllokazhin po të pres te Brryli”, i thotë inspektori në telefon.

Në bisedën e parë midis tyre në makinë inspektori nuk e pranon hapur që e bën këtë gjë, por kërkon të flasë me të atin e djalit. “Atëherë të flasim me Zefin njëherë çfarë problemi ke, të kuptoj…” thotë inspektori. Biseda në makinën e inspektorit zgjat pak minuta, pasi ky i fundit i thotë djalit se do e  telefonojë vetë këto ditë.

Takimi i dytë i inspektorit të policisë me babain e denoncuesit

Takimi i radhës u bë në një lokal në Tiranë mes babait të tij dhe inspektorit. Ky i fundit shprehet i shqetësuar se përse djali e ka marrë vesh që ai lëshon vërtetime të tilla. Gjatë bisedës ai pranon se nxjerr vërtetime të tilla.

“Këto punë janë bela, ne e kishim fjalë burrash se ti nuk do tregoje për dokumentit që i dhashë vëllait tënd”, i thotë inspektori babait të denoncuesit.

Pasi sigurohet që i riu e do vërtetimin për azil, inspektori i policisë e lë takimin në komisariatin e policisë ku ai punon.

“Unë e bëj , jo se nuk e bëj, por e kam frikë djalin tënd se më vjen me telefona nëpër duar dhe mos e ka shtyrë njeri”, shprehet i shqetësuar inspektori.

Historia vazhdon dhe rasti nuk është mbyllur këtu. Në mbrëmjen e së enjtes Fiks Fare do të tregojë sesi bëhet pazari brenda ambienteve të komisaritit dhe sesi lëshohet ky vërtetim.