Ta djegim kryeprokurorin në turrë të druve – për hir të drejtësisë!

Nëse Lumezi qenka problemi kryesor që në Kosovë nuk paska sundim të ligjit, dhe dënohen njerëz të “pafajshëm” si Enver Hasani, është mirë që kryeprokurori i Shtetit të japë dorëheqje. E, nëse nuk e bën një gjë të tillë, atëherë, për hir të “drejtësisë”, është mirë ta djegim në turrë të druve, në pikë të ditës, në mes të sheshit.

Ta djegim kryeprokurorin në turrë të druve – për hir të drejtësisë!

Enver Hasani kishte katër kallëzime penale në Prokurori, në kohën kur institucioni që drejtonte duhej të shqyrtonte lëndën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Asnjëra prej këtyre kallëzimeve nuk ishte marrë në shqyrtim. Hetimet për të nuk i lejonte Ismet Kabashi, ish-kryeprokuror i Shtetit.

Kabashi ishte në një marrëdhënie të dyshimtë me Hasanin. Nuk lejonte hetime, derisa Hasani ia kishte punësuar vajzën Kabashit në Gjykatën Kushtetuese.

Përpjekjet e Kabashit për ta pastruar figurën e Hasanit kishin dalë në sipërfaqe. Asokohe i kisha dërguar pyetje Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar sqarime nëse Hasani nuk do të merrte pjesë në gjykimin e lëndës për kryeprokurorin për shkak të hetimeve që po zhvilloheshin kundër tij nga Prokuroria.

Me të marrë pyetjet Kushtetuesja, Prokuroria e udhëhequr nga Kabashi kishte lëshuar një deklaratë publike vullnetarisht me anë të së cilës thoshte se “nuk ka hetime kundër Hasanit”.

Kabashi kishte folur edhe në emër të EULEX-it për hetimet kundër Hasanit.

Por dokumentet dhe deklarata e EULEX-it dëshmonin për hetime, subjekt i të cilave ishte edhe Enver Hasani.

“Në bazë të vendimit të Kryeprokurorit të Prishtinës, prokurori i EULEX është aktualisht i angazhuar në krye të këtij rasti. Asnjë informacion nuk do të zbulohet në lidhje me hetimin në vazhdim e sipër”, thuhej në një deklaratë të EULEX-it që konfirmonin hetimet.

Koha e mbajtjes së dosjeve të Hasanit në sirtar po përfundonte me largimin e Kabashit nga kreu i organit të akuzës.

Me ardhjen e Lumezit si kryeprokuror, hetimet ishin kryer çka kishte rezultuar me ngritjen e një aktakuze për korrupsion.

Hasani, kishte arritur që me një “fjalë” ta dëmtonte buxhetin e Universitetit të Prishtinës dhe t’i shkaktonte përfitime, Albert Rakipit.

Zëvendësimi i emrit “fjalë” me “karaktere” një kontratë publike ishte bërë thjeshtë për hajni. Kontrata kishte të bënte me një tender për përkthim librash nga anglishtja në shqip për nevoja të Universitetit të Prishtinës në kohën kur Hasani ishte rektor.

Ndërrimi i kësaj fjale i kishte shkaktuar përfitim material një kompanie për të cilën Enver Hasani kishte punuar më parë. Ndërhyrja në kontratën e nënshkruar është e kundërligjshme. Në këtë mënyrë, për të njëjtin shërbim ishin nënshkruar dy kontrata.

Me kontratën e parë Instituti për Studime Ndërkombëtare nga Tirana do të paguhej 12. 65 euro për 1. 000 fjalë të përkthyera. Ndërsa, me kontratën e dytë është paguar 12. 65 euro për 1000 karaktere. Në karaktere përfshihen edhe hapësirat mes fjalëve.

Enver Hasani kishte dorë në heqjen e fjalës “fjalë” nga kontrata.

Hasani ishte ngarkuar me vepër penale “mashtrim në detyrë” së bashku me shefin e prokurorit në UP, Hakif Veliu dhe drejtorin e parë Instituti për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi.

Prokuroria e ngarkonte Hasanin me përgjegjësi të falsifikimit të kontratës origjinale. Sipas një marrëveshje paraprake, të pandehurit kishin hartuar një kontratë të re, në të cilën kishin shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës. Në vend të çmimit 12.65€ për 1000 fjalë kishin shënuar çmimin 12.65€ për 1000 karaktere.

Në këtë mënyrë të pandehurit i kishin mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana përfitim kundërligjor në shumën prej 70.426,90 euro.

Një hetim tjetër kundër Hasanit, ishte zhvilluar për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe shpërdorim detyre sa ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, akuzohej se më dashje, duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme pozitën dhe autorizimin zyrtar me rastin e vendosjes për kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me dekretin e saj, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese, kishte nxjerrë aktvendim për papranueshmëri. Si pasojë gjyqtarët kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Hasani kishte falsifikuar nënshkrimin e një gjyqtari amerikan të Gjykatës Kushtetuese i cili në fakt nuk kishte marrë pjesë në gjykimin e lëndës për shkak të konfliktit të interesit.

Por, me anë të lidhjeve të tij, Hasani u shpall i pafajshëm duke u mbështetur në imunitetin funksional. Kjo është krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën, pasi zyrtarët nuk kanë imunitet nga ndjekja penale.

Pas shpalljes fajtor të Hasanit për vepër penale, ai doli me akuza për kryeprokurorin e Shtetit, se kinse e ka të falsifikuar provimin e jurisprudencës. Ky pretendim u hodh poshtë pas hetimeve të Prokurorisë të kryera nën mbikëqyrjen e EULEX-it.

Verifikime të plota të gjyqtarëve dhe prokurorëve ishin kryer menjëherë pas luftës. Mes të verifikuarve ishte edhe Aleksandër Lumezi. Një komision i quajtur Njësia e vlerësimit profesional ishte udhëhequr nga Timothy J. Baland.

Detyrat e njësisë përfshinin: verifikimin nëse aplikantët i përmbushnin të gjitha kriteret e nevojshme ligjore; grumbullimin dhe vlerësimin e të dhënave statistikore dhe informacione tjera të përformancës së punës së aplikantëve; marrjen e komenteve për secilin aplikant nga kolegët profesionalë dhe ish-punëdhënësit; sigurimin e informacioneve nga institucionet vendore lidhur me përputhshmërinë/pajtueshmërinë e çdo aplikantë me ligjet e pronës dhe vendimet gjyqësore të kërkesave pronësore; marrjen dhe vlerësimin e raporteve nga Zyra e Prokurorit Disiplinor lidhur me sjelljet e pahijshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Lumezi kishte dalë pastër në këtë verifikim.

Timothy J. Baland, që nuk është më në Kosovë, ka ofruar dëshmitë më 31 tetor 2017 për hulumtuesit e provimit të jurisprudencës së Lumezit.

Por, çuditërisht ato nuk i shfaqën në opinion si prova “shfajësuese”, por vetëm prova “fajësuese”, çka bije në kundërshtim të plotë me parimet e drejtësisë.

Për provimin e Lumezit folën dëshmitarë të gjallë, të cilët në media pa hezitim kishin gënjyer. Mes tyre, Riza Smaka – një profesor universitar.

Kur ata u morën në pyetje nën betim dhe duke e ditur së dëshmia e rrejshme përbën vepër penale, mohuan ato që kishin thënë në media.

Smaka kishte motiv ta bënte një gjë të tillë. Kishte hatërmbetje në vëllanë e Aleksandër Lumezit, Albert Lumezin prej vitit 2004.

Smaka asokohe kishte punuar në një bankë. Shef e kishte Lumezin. Smaka ishte zbuluar se kishte provuar të keqpërdorte një kolateral duke i dhënë vlerë nga 60 mijë euro, në 600 mijë euro. Kur eprorët e zbuluan këtë, Smaka kishte dhënë dorëheqje.

Sikurse të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, edhe Lumezi nuk është pa mëkate. Megjithatë, duket se është fat i mirë për vendin dhe organin e akuzës, që gjithë ky hulumtim i të kaluarës së tij nuk zbuloi gjë tjetër pos “falsifikimit” të provimit të jurisprudencës.

Nëse Lumezi qenka problemi kryesor që në Kosovë nuk paska sundim të ligjit, dhe dënohen njerëz të “pafajshëm” si Enver Hasani, është mirë që kryeprokurori i Shtetit të japë dorëheqje. E, nëse nuk e bën një gjë të tillë, atëherë, për hir të “drejtësisë”, është mirë ta djegim në turrë të druve, në pikë të ditës, në mes të sheshit./Insajderi.com