Tahirsylaj tregon se si do të jetë moti për ditët e mbetura të verës

Tahirsylaj tregon se si do të jetë moti për ditët e mbetura të verës

Vera sivjet në Kosovë nuk ishte e nxehtë ashtu siç ka qenë në dekadën e fundit. Muajt e verës, kryesisht u manifestuan me shi, bubullima e breshër. Krejt kjo për shkak se, sipas profesorit të Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, Kosova po kthehet në vitin 1936. Vera e atij viti, por edhe një viti më pas, nuk kishte mot veror, ashtu siç po shihet se nuk do të ketë as tani.

Përsëritja e dukurive meteorologjike ndodhë çdo 11 vjet, 31 vjet dhe 105 vjet. Kështu ka thënë për Gazetën Express profesori i Meteorologjisë në Universitetin e Prishtinës, Sylë Tahirsylaj.

Vera e këtij viti, Tahirsylës ia kujton verën e vitit 1936, e filloi e mbaroi me reshje e vërshime. Temperatura mesatare vjetore e atij viti, ai tregoi se kishte qenë 11 gradë celsius.

“Temperatura mesatare vjetore e vitit 1936 ka qenë 11 gradë celsius. Një vit mbrapa këtij, më 1937 ka pasur reshje të mëdha. Ka pasur reshje intensive, që për dy vite kanë rënë 850 litra në Junik”, tha Tahirsylaj, për Express.

Profesori i Meteorologjisë tha se viti 1936 është mbi 80 për qind i ngjashëm me këtë që po ndodhë këtë vit.

Çfarë moti na pret deri në përfundim të stinës së verës?

Profesori i Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, ka thënë për Express se muaji i gushtit do të jetë më i nxehtë, pasi pritet që masat ajrore të vijnë nga Afrika, e që i bie që do të jetë një mot i nxehtë.

Të dhënat e vitit 1936, Tahirsylaj tha se janë të nxjerra nga enti hidrometeorologjik i Serbisë, pasi në atë kohë Kosova nuk ka pasur shërbim të vetin.