Suspendohen dy zyrtarë të Inspektoratit Policor, dyshohen për shtrembërim të fakteve

Suspendohen dy zyrtarë të Inspektoratit Policor, dyshohen për shtrembërim të fakteve

Inspektorati Policor i Kosovës ka nxjerrë vendim për suspendimin e dy zyrtarëve policorë, pas dyshimeve se ata kanë rënë ndesh me ligjin.

“Sot me datën 21.02.2018 UD/Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-se, në përmbushje te autorizimeve dhe mandatit ligjor ka nxjerrë vendim për suspendimin  dy zyrtarëve të IPK-së, pas dyshimeve se të njëjtit kanë rënë ndesh me ligjin dhe rregulloret e brendshme gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.

Sipas IPK-së, të suspenduarit dyshohen se kanë shtrembëruar faktet gjatë hetimeve të një rasti të ndjeshëm korrupsioni.

“Të suspenduarit B.R udhëheqës i Departamentit të Hetimeve dhe Q.B udhëheqës i divizionit Jugor të Hetimeve, dyshohen se kanë kryer shkelje të rëndë diskredituese, duke shtrembëruar faktet gjatë hetimit të një rasti të ndjeshëm të korrupsionit, ku me veprimet e tyre kanë insistuar në kthimin e zyrtarit që po hetohet në vendin e tij të punës”, vazhdon njoftimi i IPK-së.

Inspektorati Policor i Kosovës njofton opinionin se do të veprojë konform ligjit dhe do të ndërmarr masat e nevojshme sipas procedurave në fuqi edhe kur bëhet fjalë për zyrtarë të IPK-së.

“Rasti më tej do të trajtohet nga Ekipi Hetimor dhe Komisioni Disiplinor, të cilët do të zhvillojnë procedurat e parapara disiplinore. Gjithashtu lidhur me këto veprime është njoftuar Prokuroria e Shtetit për të trajtuar dyshimet për veprimtari penale”, përfundon njoftimi./Insajderi.com