Gjykata Supreme sot vendos për Lushtakun e Selimin

Gjykata Supreme sot vendos për Lushtakun e Selimin

Ish-komandantët e UÇK-së, Sami Lushtaku e Sylejman Selimi, sot do të dalin para Gjykatës Supreme, e cila pritet ta japë verdiktin përfundimtar në rastin e njohur si “Drenica”.

Sipas aktakuzës Lushtaku dhe disa bashkëluftëtarë të tij akuzohen për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999.

Rasti shkoi në Supreme pasi që vitin e kaluar Gjykata e Apelit i pati vërtetuar dënimin me burg Lushtakut për vrasjen e një personi identiteti dhe vendi për të cilin nuk dihej.

Avokati i Lushtakut, Arianit Koci, ka deklaruar për media se në seancën e sotme përfundimisht do të shpallet pafajësia e klientit të tij, duke u liruar nga të gjitha akuzat, pasi që, sipas tij, nuk ka asnjë element të vogël që të mos lirohet nga të gjitha akuzat.

Koci shprehu kritikat e tij ndaj sistemit gjyqësor që, sipas tij, Lushtakun e kanë dënuar për një vrasje gjatë periudhës së luftës, por identiteti i viktimës ende nuk dihet.

 

Shkalla e parë e pati dënuar Lushtakun me 12 vjet burgim, për shkak se është gjetur “ fajtor për veprimin kriminal në vijim: duke vepruar në mënyrë brutale, i mori jetën me dashje një mashkulli të paidentifikuar që flet shqip, rreth moshës 40 vjeçare, në atë mënyrë që i ka vënë në kokë pistoletën e tipit TT…”.

Ndërsa, Gjykata e Apelit i pati ulur Selimit dënimin nga tetë, në shtatë vjet burguim, ndërsa Isni Thaqit nga 7, në 6 vjet e 6 muaj. Ndërsa, Zeqir e Jahir Demakut nga 7 vjet në 6 vjet.

Apeli po ashtu ia ka konfirmuar dënimet Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demaj të dënuar me nga tri vjet burg, ndërsa edhe Fadil Demakut dhe Nexhat Demaku iu është konfirmuar dënimi me burgim prej nga 3 vjet. /Insajderi.com