Sulmuesi më efikas i Evropës

Sulmuesi më efikas i Evropës

Që në fillim kishte shenja që të bëhej një hero për zikaltri por ky duket se do të jetë sezoni i Mauro Ikardit.

Bomberi zikaltër, pasi shtangu Italinë dy vite më parë kur u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit me 22 gola në 36 takime, tani ka nisur që t’i tërheqë vëmendjen Europës.

Deri më tani, ai ka shënuar 6 prej 7 golave të Interit në Serie A. Në ndeshjen e fundit ai u dhuroi fitoren zikaltërve falë dopietës së realizuar (e dyta në këtë kampionat) brenda 7 minutash. Ndërsa me Juven, argjentinasi ishte autor i golit të barazimit dhe asistit që i lejoi Perisiçit të hidhte në tapet kampionët e Italisë. Të tilla statistika për momentin askush nuk ka arritur. Asnjë lojtar i pesë kampionateve më të rëndësishme të Evropës nuk ka bërë kaq mirë sa Ikardi, i cili është autor i 6 golave dhe 1 asisti.

Në kampionate të tjera, Lacazette i Lyon ka gjashtë gola por asnjë asist, Diego Costa i Chelseat ka pesë gola dhe një asist, Callejon i Napolit ka shifra të njëjta si të Costas, Luis Suarez ka katër gola e dy assite e kështu me radhë.

Në Serinë A ai ka shënuar 53 gola në 96 ndeshje të luajtura me Interin (në total ka realizuar 63 gola) dhe nëse vazhdon kështu do ta ketë të lehtë që të parakalojë legjendat e Interit. Në Empoli ai barazoi numrin e golave të shënuar nga Rekoba (iu deshën 175 ndeshje) dhe ikona e radhës për t’u kaluar është… “Fenomeni” (ka shënuar 54 gola në Serie A për zikaltrit).