Sulmohet xhamia në Afganistan, dhjetëra viktima

Sulmohet xhamia në Afganistan, dhjetëra viktima

Një shpërthim i fuqishëm në një xhami në qytetin afgan të Heratit ka lënë të vdekur rreth 30 persona, e ka plagosur dhjetëra të tjerë. Shpërthimi që goditi xhaminë “Jawadia”, rastisi në të njëjtën kohë kur kryheshin lutjet e mbrëmjes, rreth orës 20:00 me atë lokale.

Zyrtarët thanë se ishin të paktën dy agresorë, njëri kamikaz dhe tjetri i armatosur që qëllonte besimtarët me armë zjarri. Një zëdhënës i pushtetit lokal tha për BBC-në se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa sipas tij aktualisht të paktën 29 persona kanë humbur jetën dhe 64 të tjerë janë plagosur.

Megjithatë, të dy agresorët kanë vdekur në vend, siç konfirmon zëdhënësi i policisë për agjencinë e lajmeve “AFP”. Përfaqësuesi i guvernatorit të Heratit tha se edhe kamikazi kishte hapur zjarr brenda xhamisë, përpara se të aktivizonte eksplozivin në trup.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, ndërkohë, raporton se në vendngjarje janë hedhur edhe granata, ndërsa televizioni shtetëror iranian, “IRIB” njoftoi se në sulm ishin përfshirë 7 persona të armatosur. Por këto raportime nuk janë konfirmuar ende nga burimet lokale në Afganistan.

Ende asnjë grup nuk ka marrë përsipër sulmin, që ndodhi në një zonë me shumicë myslimane shiite. Një zëdhënës i talebanëve, që kanë sulmuar në të kaluarën xhamitë shiite në vend, e dënoi sulmin përmes një mesazhi dërguar reporterëve. Herati, një rajon pranë kufirit me Iranin, konsiderohet si një prej qyteteve më të paqta të Afganistanit.