Sulmohen gjatë “emigrimit ilegal”, ndërron jetë një shtetas i Shqipërisë

19.03.2017 09:33
Sulmohen gjatë “emigrimit ilegal”, ndërron jetë një shtetas i Shqipërisë

Tri shtetas që po përpiqeshin të kalonin kufirin për në Greqi, raportohet nga policia se janë goditur me mjete të forta nga disa persona, e më pas iu janë marrë sendet personale.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Braçanj, ndërsa viktima të sulmit kanë rënë shtetasit M.V., 40 vjeç nga Nizhavec i Pogradecit; Zarif Alliu, 44 vjeç nga Vërdova e Pogradecit; si dhe D.SH., 40 vjeç, shkruan Tch.

Dy shtetasit e parë janë transportuar menjëherë për në Spitalin Rajonal të Korçës, ku edhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra, Zarif Alliu nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë.

Ndërkohë, në Komisariatin e Devollit shtetasi D.SH. po merret në pyetje mbi këtë ngjarje.

Policia po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.