Sulm në një universitet në Pakistan: 20 të vdekur

Sulm në një universitet në Pakistan: 20 të vdekur

Së paku 20 persona, mes të cilëve më së shumti studentë kanë mbetur të vrarë ndërkaq 30 të tjerë kanë mbetur të lënduar në një universitet në Pakistan.

Sipas autoriteteve të policisë, “operacioni kundër sulmuesve ka përfunduar”, ndërsa  sipas shefit regjional tw policisë, Sead Vazir “numri i viktimave nga sulmi terrorist ka arritur në 21”.

Vazir, megjithatë nu ka konfirmuar nëse mes viktimave janë edhe katër sulmuesit të cilët i kanë vrarë forcat ushtarake. Sipas tij, operacioni ka përfunduar dhe forcat e sigurisë për momentin janë duke e hetuar rastin. Mediat lokale raportojnë se talibanët pakistanezë kanë marrë përsipër përgjegjësitë për sulmin.

Sulmi ka ndodhur në qytetin Çarsada rreth 50 kilometra në afërsi të Peshavarit në orët e hershme të mëngjesit menjëherë pas hapjes së universitetit. Në mesin e viktimave raportohet të ketë edhe profesorë.

Universiteti i sulmuar është “Baça Khan”, i cili ka marrë emrin sipas emrit të partisë politike antitalibaneze.

Ndërkaq, një sulm i ngjashëm kishte ndodhur dhjetorin e vitit 2014, por atëbotë sulmi ishte kryer ndaj një shkolle në Peshavar, nga i cili humbën jetën më shumë se 150 persona, shumica prej të cilëve janë fëmijë.

Më tutje mediat locale raportojnë se të shtënat po vazhdojnë në mes të forcave të sigurisë dhe sulmuesve. Në anën tjetër ka pasur informacione edhe për disa shpërthime në afërsi të universitetit.

Universiteti ka rreth 3 mijë studentë, ndërsa sot do ta vizitonin edhe 600 persona të tjerë me rastin e një recitali të poezisë. Mediat e huaja raportojnë se deri disa ditë më parë shkollat në Peshavar të Pakistanit ishin të mbyllura nga frika prej sulmeve ekstremiste dhe terroriste.