Suksesi i refugjatit sirian që bëri 4 mijë kilometra me violinë në shpinë

Suksesi i refugjatit sirian që bëri 4 mijë kilometra me violinë në shpinë

Rrugëtimi i Rami-t për t’iu larguar luftës dhe vdekjes në vendin e tij, Homs të Sirisë, kaloi përmes tetë vendeve në Lindjen e Mesme dhe në Europë, por në çdo moment ai kishte me vete një mikeshë, që tashmë i ka “falur” suksesin. Refugjati sirian që iu arratis luftimeve duke mbajtur një violinë në shpinë, do të publikojë albumin e tij të parë nga një shtëpi diskografike me emër.

21-vjeçari Rami ishte student për muzikë kur u largua nga qyteti i Homsit në vitin 2015. Ai tani jeton në Gjermani, pasi kapërceu tetë vende, shpesh në këmbë. Gjatë udhëtimit përmes Europës, ai u hodh nga një tren dhe humbi violinën ndërsa ndiqej nga policia.

Por, në Gjermani, ai u pajis me një instrument të ri pasi ndau historinë e tij. Muzikanti kishte udhëtuar përmes Libanit dhe Turqisë drejt Stambollit. Nga aty ai kaloi në Greqi me varkë, duke mbajtur violinën të mbështjellë me letër celofan.

Ndërsa kryente rrugëtimin në det, varkës iu prish motorri dhe ai u shpëtua nga roja bregdetare greke dhe u dërgua në ishullin Kos, ku strehoheshin një numër i madh refugjatësh. “Flija së bashku me violinën për shkak se kisha frikë se mos dikush ma vidhte”, tha ai në një video të postuar nga “Decca Records”, shtëpia që do të publikojë albumin e titulluar “Rrugëtimi im”.

Nga ishulli Kos, ai shkoi në Athinë dhe më pas në Maqedoni, ku ai tërhoqi vëmendjen e gazetarëve ndërsa luante me violinën e tij. Në fillim, ai luajti muzikë arabe, më pas luajti “Ode për Gëzimin” nga Bet’hoven, që do të jetë edhe pjesa e parë e albumit të tij, potr gjithashtu edhe himni zyrtar i Bashkimit Europian.

Më pas, Rami shkoi në Serbi, ku, sipas rrëfimit në video, ai u ndëshkua për shkak se kishte folur në media për kushtet e këqija në të cilat mbahej. Ai u nda nga miqtë e tij dhe kaloi ditë pa ujë e pa ushqim. Rami u lirua vetëm pasi një oficer policie vuri re violinën e tij. “Ai më kërkoi të luaja për të, kështu që unë luajta. Kjo e kënaqi shumë”.

Telashet nuk përfunduan në Serbi. Ndërsa kalonte nga Beogradi në Budapest, në Hungari, ai u hodh nga treni që po kontrollohej nga policia dhe vazhdoi rrugën në këmbë së bashku me një shok, që mbante violinën. Por kur policia nisi t’i ndiqte, të dy vrapuan në drejtime të ndryshme dhe Rami e humbi instrumentin e tij. Ai më pas u kap nga policia dhe u dërgua në kamp.

Ai kujton se situata atje ishte e keqe. Ai vendosi të largohej nga kampi dhe të kalonte gjatë natës në Austri. Violinisti më pas shkoi në Mynih, në jug të Gjermanisë dhe më në fund, në Sasbachëalden, ku gjeti strehë. “Ishte një grua atje që ndihmonte njerëzit dhe unë ia tregova historinë time. Ajo më prezantoi me një mjeshtër të quajtur Jochen Lemme dhe ai më dha një violinë si dhuratë”.

Harta tregon rrugëtimin e Rami nga Siria në Gjermani: Prej aty, Rami thotë se shkoi në Lahr, ku jetoi në një palestër ku strehoheshin të paktën 200 familje. Një kishë lokale e lejoi atë të praktikohej dhe iu publikua edhe një fotografi në median lokale.

Pasi lexoi historinë, një çift i ofroi strehë në shtëpinë e tyre ku ai edhe mund të praktikonte violinën. “Mendoj se ai nuk mund ta imagjinojë jetën pa violinën e tij”, thotë Theresia e cila e mirëpriti refugjatin sirian në shtëpinë e saj.

Rami e regjistroi “Rrugëtimin tim” me producentët James Morgan dhe Juliette Pochin. Në album, performohen muzikë arabe të origjinës së tij së bashku me versionin klasik të këngës “Counting Stars” së bandës muzikore OneRepublic, si dhe një version të “Silent Night”. Të ardhurat do të shkojnë për fushatën në ndihmë të refugjatëve në nevojë në të gjithë botën./tesheshi