Studimi ndërkombëtar nxjerr opsionet për TC “Kosova A”

26.07.2016 09:53
Studimi ndërkombëtar nxjerr opsionet për TC “Kosova A”

Ekspertët ndërkombëtarë në ditët në vijim do të bëjnë një studim rreth fatit të termocentralit “Kosova A” nga i cili mbulon rreth 35 për qind të energjisë, e cila konsumohet në vend.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, pati bërë të ditur se në strategjinë e energjisë do të jetë e hapur edhe opsioni rreth termocentralit “Kosova A”.

Ai kishte deklaruar se në bazë të këtij studimi do të tregojë opsionet më të mira për këtë termocentral, shkruan “Zëri”.

Zyrtarë të Ministrinë së Zhvillimit Ekonomik kanë thënë se tashmë është diskutuar që gjatë viteve 2016-2017 është e nevojshme të realizohet një studim, para se të procedohet më tutje me termocentralin “Kosova A”.

“Në momentin që do të iniciohet ky studim, do të duhet të merren në konsideratë çështjet që tashmë janë duke u trajtuar në draft-strategjinë e energjisë e që lidhen me sigurimin e furnizimit, hapjen e tregut të energjisë dhe integrimin e tij në nivel të regjionit si dhe obligimeve kontraktuale të marra nga Komuniteti i Energjisë në funksion të respektimit e ambientit kur është fjala për gjeneruesit e energjisë të bazuar në burime fosile”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë dhënë gazetës.

Në anën tjetër, zyrtarë të Korporatën Energjetike të Kosovës nuk japin detaje për këtë studim që është duke u bërë.

Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve të Korporatës në Korporatën Energjetike të Kosovës ka thënë se sa i përket studimeve me detaje lidhur me hapat rreth të ardhmes së TC-Kosova A, vendimet do të merren në harmoni dhe koordinim me aksionarin dhe në përputhje me Strategjinë e Energjisë.