Strakosha flet për debutimin, tregon raportet me Marcchetti-n

23.09.2016 20:42

Thomas Strakosha vazhdon të komentojë emocionet e debutimit me Lacion në Serinë A të martën, në ndeshjen e humbur 2-0 kundër Milanit në “San Siro”.

Strakosha flet për debutimin, tregon raportet me Marcchetti-n

Portieri i Kombëtares shqiptare ka folur sot në mikrofonin e “Lazio Style Radio 89.3”, derisa tregoi ndihmën që mori nga portieri i parë i Lazios, Frederico Marccheti.

“Trajneri më tha se Marketi ishte përpjekur të luante, por para fillimit të nxehjes ndiente ende dhimbje, ndaj më tha se do të luaja unë. Isha i qetë, debutoja në një stadium të bukur, por nuk iu gëzova plotësisht për shkak të rezultatit. Nuk e prisja të luaja për herë të parë në Serinë A, aq më tepër kundër Milanit. Por, fati e desh që të bëhej kështu”, tha Strakosha.

21-vjeçari ka fjalë të mira për italianin e Lacios, i cili mbetet zgjedhja e parë për portën, si dhe për trajnerin Simone Inzaghi.

“Marketi i ndihmon të rinjtë dhe për këtë e vlerësoj shumë. Duke u stërvitur me të vetëm mund të mësosh. Vargiç, Marketi e Berisha janë portierë të mëdhenj dhe prej tyre mund të përmirësohesh, edhe duke ‘vjedhur’ me sy. Edhe me Inzagin ndjehem mirë. Ai i njeh pikat tona të dobëta, pasi shumë prej të rinjve i ka stërvitur në ekipet zinxhir. Vetëm duhet të jesh i përqendruar në fushë e të punosh fort”.

Gjasat janë të mëdha që Strakosha të jetë në katërkëndëshin e Lacios edhe përballë Empolit në fundjavë, dhe “gardiani” kuqezi ndjehet gati.

“Nëse Marketi nuk ia del sërish, unë jam gati. Kësaj here duhet ta bëjmë ne ndeshjen për të marrë tri pikët. Duhet të jemi të përqendruar, si ata që luajnë ashtu edhe ata që nuk do zbresin në fushë. Në stol të gjithë duhet të bëjnë tifo”, ka thënë portieri shqiptar. /Insajderi.com