Stavileci: Supremja u ndikua nga presioni publik i terroristëve të Vetëvendosjes

26.11.2017 11:47
Stavileci: Supremja u ndikua nga presioni publik i terroristëve të Vetëvendosjes

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur rreth vendimit të Gjykatës Supreme e cila e hodhi poshtë vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren.

Blerand Stavileci nga PDK ka hedh shumë akuza në drejtim të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjykata Supreme nxori si të pabazuara kërkesat tona për rinumërim votash edhe pse ofruam argumentet tona në bazë të të cilave shihet qartë manipulimi me vota i bërë nga klani i hajnave terroristë të Partisë Vetëvendosje”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij, “Gjykata Supreme mbase edhe e ndikuar nga presioni publik që kjo parti klanesh terroriste ka bërë mbi anëtarët e saj anuloi rinumërimin e votave”.

“Pra, qenka hedhur poshtë pretendimi se paska pasur tendencë të manipulimit të zgjedhjeve dhe se drejtësia është e kapur. Përkundrazi, ka mjaftueshëm dyshime se kjo ‘Drejtësi’ është e terrorizuar dhe e frikësuar nga terroristët e PVV-së. Sepse kjo parti shpif, linçon, frikëson, shantazhon e terrorizon çdo gjë që i del përpara”, ka thënë më tej ai gjatë konferencës për media.

Stavileci partinë Vetëvendosje e ka quajtur si parti të krimit, duke thënë se organizatën terroriste “Syri i Popullit” e kanë themeluar zyrtarë të Vetëvendosjes.

“Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kanë nxjerrë fotografi të zyrtarëve të shtetit, të organeve të drejtësisë dhe të sigurisë, të gazetarëve, duke i shpallur “kriminelë”, duke i çnjerëzuar dhe duke i rrezikuar edhe me jetë. Kështu ‘Vetëvendosje’ i ka futur në palcë frikën gjithë atyre që nuk u rreshtohen nga pas”, ka shtuar ai.

“U dëshmua me fakte se zyrtarë të kësaj partie me bërthamë terroriste janë të përfshirë në korrupsion, terrorizëm dhe lidhje mafioze me oligarkë. U vërtetua se anëtarë të kësaj organizate janë terroristë që sulmojnë institucionet e Kosovës me të gjitha mjetet e mundshme. Të ju rikujtojmë se organizata “Syri i Popullit” me listë për likuidimin e 20 vetave, në mesin e tyre politikanë, gazetarë e të tjerë, na doli të jetë e themeluar nga zyrtarë të ‘Vetëvendosjes’, ka shtuat tutje Stavileci para medieve./Insajderi.com