Stavileci s’ka dyshim: Institucionet formohen të enjten

01.08.2017 20:01
Stavileci s’ka dyshim: Institucionet formohen të enjten

Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e PDK-së, Blerand Stavileci, edhe një herë është shprehur i bindur se koalicioni PAN i ka votat për krijimin e institucioneve.

Stavileci ka thënë se seanca e 3 gushtit do të jetë ditë e nisjes së etapës së re për Kosovën.

“Seanca e 3 gushtit do të jetë dita e nisjes së etapës së re për institucionet e reja të Kosovës. Votat janë të sigurta. Prandaj, presim që të gjitha punët të kryhen prej datës 3”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjitha veprimet janë të definuara me Kushtetutë dhe me aktvendimin e Gjykatës në vitin 2014.

“Të gjitha veprimet janë të definuara edhe me Kushtetutë edhe me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014”, ka thënë ai.

Kandidati i vetëm dhe më i përfolur deri më tani për kryetar të Kuvendit nga radhët e PAN-it, është Kadri Veseli i cili zyrtarisht pritet të nominohet ditën e enjte.

Kandidatura e Veselit është cilësuar e papranueshme nga dy blloqet tjera politike në vend, nga koalicioni LAA dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përkundër kësaj, zyrtarët brenda koalicionit PAN vazhdimisht janë shprehur të bindur se kryetari i Kuvendit, dhe Qeveria e Haradinajt do të marrin votat e nevojshme.

Madje nga zyrtarët e PAN-it ka pasur zëra se edhe Qeveria mund të votohet në të njejtën ditë kur konstituohet Kuvendi, njofton lajmi.net

Proceduralisht një gjë e tillë edhe mund të ndodhë. Monitoruesi i Kuvendit nga KDI, Albert Krasniqi dje kishte thënë për lajmi.net, se mjafton mbledhja e 40 nënshkrimeve dhe mund të thirrjet një seancë e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë.