Stavileci: Dogana e Kosovës institucioni më efikas në luftimin e kontrabandës

Stavileci: Dogana e Kosovës institucioni më efikas në luftimin e kontrabandës

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se Dogana e Kosovës është institucioni më efikas në luftimin e kontrabandës dhe është një nga institucionet  që është duke e luftuar në mënyrë të rregullt kontrabandën gjë që po ndikon në rritjen e të hyrave për buxhetin e vendit.

“Mund të themi që jemi një institucion shumë efikas në luftimin kontrabandës, arsye kjo më lejoni t’i referohem Raportit të Progresit për vitin 2016 që e nxjerr Doganën si një ndër institucionet më të suksesshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan”, ka thënë Stavileci në një intervistë për Ekonomia Online.

Ai thekson se zyrtarët doganorë kontrabandën nuk e luftojnë vetëm në pikat kufitare, por edhe te bizneset në brendi të vendit.

“Kontrabanda nuk luftohet vetëm në pikat kufitare, por luftohet edhe në brendi dhe për këtë arsye në këto ditë jemi duke ndërmarrë aksione të shumta për të ndërgjegjësuar të gjitha bizneset që mallrat e kontrabanduara, normalisht që në momentin kur dogana ka informata, ato konfiskohen”, është shprehur Stavileci.

Gjithashtu ai ka folur edhe për aksionet e Doganës në veri të Mitrovicës, duke konfiskuar mallra të kontrabanduara, duke thënë se kompania nuk ka pasur asnjë dokument mbulueshmërie për procedurat e zhdoganimit të tyre dhe për këtë arsye Dogana i ka konfiskuar të gjitha ato mallra.

Stavileci ka thënë se në pjesën veriore të Mitrovicës përballen më shumë me probleme të natyrës politike.

“Kryesisht janë probleme, që ju i dini, probleme të natyrës politike, por normalisht kemi edhe ndonjëherë të natyrave të tjera siç janë infrastrukturore, apo probleme logjistike, derisa në aspektin e procedurave të zhdoganimit të mallrave nuk kemi problem”, ka thënë zëdhënësi Stavileci.

Duke folur për të hyrat Doganore ai ka thënë se ky institucion taksambledhës gjatë dhjetëve të fundit ka mbajtur një trend të mirë të mbledhjes së të hyrave, e gjithashtu edhe në tre mujorin e parë të këtij viti të hyrat janë duke ecur me një trend shumë të mirë.

“Pak a shumë është e njëjta, por është ende herët që të kemi një analizë të detajizuar se si është duke ecur trendi i të hyrave, por sidoqoftë mund të themi që jemi gati 100 për qind me vitin e kaluar”, ka thënë Stavileci.

Ai ka edhe për për blerjet online, sipas të cilit kanë shënuar një trend rritës. Sipas tij, vitin e kaluar vetëm nga blerjet online Dogana e Kosovës ka inkasuar taksa prej 300 mijë euro. Ndërsa më shumë se një milion copë mallra qarkullojnë përmes blerjeve online.