Statistikat e Gianni De Biasit me skuadrën e Alavesit [Foto]

Statistikat e Gianni De Biasit me skuadrën e Alavesit [Foto]

Gianni De Biasi është shkarkuar nga klubi spanjoll, Deportivo Alaves.

Ish-trajneri i kombëtares shqiptare, De Biasi, është shkarkuar nga skuadra e Alavesit, pas rezultateve jo të kënaqshme, raporton Insajderi.

Tekniku italian u shkarkua sot nga posti i trajnerit, shkaku i rezultateve të dobëta – pas 8 ndeshjeve në drejtim të klubit.

De Biasi u emërua trajner i Alavesit më 22 shtator, derisa vendimin për shkarkimin e tij klubi spanjoll e mori pas humbjes së fundit me rezultat 2:1 ndaj Eibarit.

“Klubi ka vendosur të shkëpus kontratën me trajnerin Gianni de Biasi, për shkak të rezultateve në ndeshjet e fundit. Për momentin, Javier Cabello është trajner i skuadrës së parë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

“Falënderojmë De Biasin për punën e bërë gjatë kësaj periudhe dhe i urojmë më të mirat në të ardhmen e tij profesionale”, shkruhet në njoftimin e Alavesit.

De Biasi e ka udhëhequr Alavesin në gjithsej 8 ndeshje – duke arritur 3 fitore, 0 barazime dhe 5 humbje, me bilanc 37.50% të përqindjes së fitoreve.

Kujtojmë se De Biasi kishte përqindje prej 38.89 të fitoreve me kombëtaren e Shqipërisë, të cilën e drejtoi për pothuaj 6 vite. /Insajderi