Sqarimi i KFOR-it për shenjat kufitare në Karaçevë

Sqarimi i KFOR-it për shenjat kufitare në Karaçevë

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ditë më parë i ka vendosur disa shenja që tregonin se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është në Karaçevë, shenja të cilat kishin shqetësuar banorët e kësaj ane.

Ata madje thanë se do t’i heqin vet nëse KFOR-i nuk reagon ndaj këtij veprimi.

Por, KFOR-i ka dhënë sqarimet e hollësishme për këtë veprim.

Vincenzo Grasso, zëdhënës i KFOR-it, në një përgjigje për Koha.net, ka thënë se ato shenja vetëm janë zëvendësuar nga KFOR-i pasi që kanë qenë shumë të dëmtuara si pasojë e kushteve klimatike, ndërsa ka thënë se ato shërbejnë vetëm për personelin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut si referencë se kufiri me Serbinë është afër.

“Disa ditë më parë, KFOR-i nisi t’i zëvendësojë shenjat ekzistuese sepse ishin gjendje shumë të rëndë, si pasojë e ekspozimit ndaj dëmeve të kushteve klimatike. Ato shenja janë referenca VETËM për personelin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut, dhe jo për qytetarët e Kosovës. Shenjat janë paralajmërime që tregojnë distancën e Vijës Administrative Kufitare (VAK), në mënyrë që personeli i KFOR-it dhe e UNMIK-ut të mos shkelin marrëveshjet me Forcat e Armatosura të Serbisë (FAS) duke kaluar pa dashje VAK-un. VAK-u dhe shenjat nuk prekin jetën dhe aktivitetet e qytetarëve të Kosovës. VAK nuk është kufi por është një linjë referimi për të përcaktuar se ku mund t’i kryejnë misionet e tyre KFOR-i, UNMIK-u dhe FAS-i”, ka thënë Vincenzo Grasso, zëdhënës i KFOR-it.