Sindikata: Menaxhmenti i RTK-së po i rrezikon pagat e të punësuarve

Sindikata: Menaxhmenti i RTK-së po i rrezikon pagat e të punësuarve

Ndonëse që nga paslufta llogaritet se janë investuar mbi 200 milionë euro për transmetuesin e vetëm publik në vend – Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) vazhdon të ketë telashe të mëdha.

Vazhdimisht ka pasur zëra nga brenda tij për keqmenaxhim të parasë. Tash së fundmi, Sindikata e Pavarur e RTK-së, thotë se menaxhmenti i saj po e shkelë ligjin.

“RTK është përballur me mospagesë të tatimit në pronë, faturave të ujit e mbeturinave, me mosregjistrim të veturave etj. duke u bërë kështu vetë shkelës i ligjit, megjithëse për mision ka promovimin e ligjshmërisë”, thuhet në komunikatën e kësaj sindikate.

SPRTK thotë se mospagesa e borxheve milionëshe kanë bërë që RTK-ja të përballet më dhjetëra padi në gjykata, kurse “menaxhmenti i saj po vazhdon me punësime të reja dhe me lidhje të kontratave me produksione të pavarura, duke rrezikuar kështu pagat e të punësuarve dhe funksionimin e mëtutjeshëm të RTK-së”, duke shtuar se “hapësirën më të ndjeshme programore në RTK po e mbulojnë programet e blera nga produksionet e jashtme”.

Rreth keqmenaxhimit të buxhetit të RTK-së më parë kishte reaguar edhe anëtari i Bordit të RTK-së, Naim Gashi.

“Gjatë kësaj kohe të shkurtër që jam me Ju, kam vërejtur parregullsi të mëdha, sidomos financiare, keqmenaxhim të buxhetit, punësime pa kurrfarë kriteri, shkaktim të qëllimshëm të borxheve, shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore, raportim të rrejshëm në Bord dhe Kuvend, prokurime pa kriter dhe njëburimore, shkaktim të rrezikut nga paditë e jashtme, nepotizëm, gradime pa kriter…”, citohet të ketë thënë ndër tjera Gashi.

Bordi dyshon se keqmenaxhimi përmban edhe elemente të veprës penale.

Hisen Berisha –anëtar i Bordit të RTK-së, kishte thënë vitin e kaluar se  ka publikuar një dokument prej 26 faqesh me parregullsi të shumta financiare e ligjore në RTK.

“Me pergjegjësinë time të plotë e informoj Bordin e RTK-së se raporti i shpenzimeve janar shtator 2015, përmban shkelje të rënda ligjore, me elemente të mjaftueshme të një vepre penale, prandaj kërkoj që si i tillë të mos miratohet në Bord, por të dërgohen vërejtjet në Kuvend dhe në organet kompetente të hetuesisë”, kishte thënë Berisha vitin e kaluar.

Mbi këtë bazë, SPRTK thotë se RTK-ja ka nevojë urgjente që të merret në përkujdesje nga themeluesi i saj – Kuvendi i Kosovës, duke kërkuar që në RTK sa më parë të konstatohet dëmi dhe humbjet reale që janë shkaktuar tash e sa kohë.

Në një letër drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, SPRTK apelon që ky institucion ta caktojë pronën e RTK-së dhe të ndajë fonde të mjaftueshme në mënyrë që RTK-ja ta ketë objektin e vet.

Sindikata e Pavarur e RTK-së thotë se është e shqetësuar me mosgatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për ta penguar falimentimin e transmetuesit të vetëm publik në vend – RTK-së.

“Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar llogaridhënie nga Bordi i RTK-së me gjithë raportet negative, të Auditorit të Pavarur dhe atij Gjeneral”, thuhet ndër tjera në letrën e SPRTK-ut drejtuar deputetëve,/Insajderi.com