Spitali refuzoi ta shtronte, i sëmuri mendor vret gruan

Spitali refuzoi ta shtronte, i sëmuri mendor vret gruan

Një ​ngjarje tronditëse është regjistruar rreth orës 8.30 të mëngjesit të së dielës në fshatin Blacë të Pogradecit. Një 49-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij duke e goditur me sqepar pas koke ndërsa mësohet se vuante nga depresionit.

Vetë babai i autorit ka deklaruar problemet shëndetësore të të birit duke pohuar se ngjarja e rëndë do të ishte shmangur në rast se ai do të ishte shtruar dhe trajtuar në spital për problemet e shëndetit mendor të cilat i kishte prej vitesh. 49-vjeçari, Bashkim Mekolli, ka vrarë në oborrin e banesës bashkëshorten e tij Demirkë Mekolli po 49 vjeçe. Pasi janë grindur me njëri-tjetrin, ​për arsye që ende nuk dihen, ​burri ka rrëmbyer një sqepar dhe një thikë në dorë dhe e ka ndjekur gruan ​sapo ajo ka zbritur shkallët e shtëpisë për të dalë në oborr.

Ka qenë një e afërme e autorit ajo që ka parë e para skenën e krimit dhe ka sinjalizuar edhe persona të tjerë ndërsa ka qenë vetë autori ai i cili ka kërkuar që të njoftohej policia për krimin që kishte kryer.

Babai i 49- vjeçarit, Nexhdet Mekolli, ka treguar se djali i tij vuante nga depresioni dhe se ngjarja mund të ishte parandaluar ndërsa jetën e çiftit e përshkruan tejet të vështirë sa i takon aspektit financiar dhe grindjeve të vazhdueshme si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike të të birit.

Ai e ka konsideruar ngjarjen si një rast që mund të parandalohej ndërsa ka hequr çdo dyshim lidhur me nusen e djalit duke lënë si shkak të vetëm problemet mendore të të birit. ​Sipas tij viktima​ ishte nga një fshat i Lushnjës dhe fillimisht gjithçka shkonte mirë për çiftin por brenda pak kohësh mes tyre nisën grindjet të cilat vazhduan deri në momentin kur ajo u vra​.

Ata ishin prindër të një djali të​ vetëm, ​aktualisht 16 vjeçar ​ndërsa ​familja ​përballej me varfëri të vazhdueshme dhe i vetmi mjet jetese ishte ndihma ekonomike që ata merrnin. ​

D​y muaj më parë Bashkimi kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së tij psikologjike që sa vinte e rëndohej dhe ishte diagnostikuar me depresion.

Menjëherë ai ka nisur të përdorë medikamente për tu kuruar por pavarësisht kësaj mjekimi nuk ka dhënë rezultat dhe ai ka arritur deri në vrasjen e bashkëshortes.

Djali i tyre 16-vjeçar ndodhet në Itali te të afërmit e nënës së tij të cilët kishin gjetur si mundësi të vetme për ta larguar nga kjo situatë vazhdimin e shkollës në shtetin fqinjë. Prej disa muajsh Bashkimi dhe Demirka kishin autorizuar motrën e viktimës përmes një prokure që ta merrte djalin në Itali dhe të vazhdonte jetesën atje ndërsa planifikonin që me kalimin e kohës edhe ata të merrnin rrugën e emigracionit.

I ati i vrasësit 

Të gjitha fajet e kësaj ngjarje të rëndë i ka Bashkimi, i cili vuante nga probleme psikike. Kështu është shprehur për ngjarjen e rëndë Nexhedet Mekolli, babai i autori të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes. Ngjarje që mund të ishte parandaluar ka shtuar më tej 74-vjeçari në qoftë se Bashkimi do ishte kuruar në kushte spitalore.

Si ndodhi ngjarja?

Kisha dalë në fshat që në mëngjes ndërsa djalin dhe nusen i lashë të dy në shtëpi. Erdhi mbesa ime dhe më tha hajde shpejt se Bashkimi ka vrarë Demirkën. Kur erdha këtu pashë djalin me një thikë dhe me një sqepar në dorë dhe nusja ishte e shtrirë atje tek çezma. Ishte mbi një pellg me gjak. Gjithë jetën djali im është grindur me nusen. Ai ishte me depresion dhe vazhdimisht sillte shqetësime, grindej për hiç mos gjë. Nusja ishte e mirë dhe e rregullt por im bir ishte i sëmurë dhe s’kishim çfarë t`i bënim. Ishte shumë agresiv, i dhunshëm dhe vetëm grindej, për vite të tëra kjo gjendje ka qenë.

Jetonit në të njëjtën banesë me djalin dhe nusen?

Bashkëshortja më ka vdekur para 14 vitesh dhe unë jetoja i vetëm. Një vit kisha që iu hapa derën e shtëpisë se mbetën rrugëve. Fillimisht ata jetonin në një shtëpi të vjetër në periferi të fshatit, por Bashkimi e shiti se ajo ishte e vjetër dhe nuk kishte mundësi ta rregullonte. Nuk pyeti fare se ku do shkonte me një grua dhe me një djalë, e bëri fakt. Megjithatë unë iu hapa derën se s`do t’i lija në rrugë. Iu thashë ja ku e keni njërën dhomë dhe bëni ç`të doni. Unë pjesën më të madhe të ditës e kaloja në fshat si pensionist që jam, takoja shokët dhe kalonim kohën. Më ka rastisur t`i dëgjoj edhe kur grindeshin për hiç mos gjë, por nuk ndërhyja, shihja punën time.

Me çfarë të ardhurash jetonin ata ?

Me ndihmën ekonomike jetonin! Merrnin diku te 3000 lekë. Aq lekë nuk u dilnin për asgjë, por u jepja edhe unë nga pension​i.

A mjekohej​ djali juaj?

Para dy muajsh shkoi tek mjeku dhe i thanë që e kishte depresion. Me rekomandimin e mjekut të fshatit shkoi në Tiranë dhe bëri vizitë ku i dhanë edhe diagnozën. Donte të shtrohej në spital, por nuk kishte sigurime dhe kartë shëndeti dhe nuk mund të shtrohej. I dhanë recetën e ilaçeve dhe u kthye në shtëpi. Mori dhe ilaçe për sëmundjen dhe i pinte ato.

Konsumonte alkool?

Para se të fillonte mjekimet edhe ka konsumuar pije alkoolike, por që nga dita që ka filluar të marrë ilaçet nuk është parë më të konsumojë alkool.

Prej një viti jetoni me djalin dhe nuset e tij. Çfarë shikoje që nuk shkonte mes tyre?

Në kushte kur pas shitjes së banesës së tyre mbeten sa në një shtëpi të braktisur në një tjetër ju ofrova një dhomë në shtëpinë time. Por,më duhet të them se nuk është se flisja me ta. Nuk flisja sepse djali ishte i dhunshëm edhe me mua. Nuk më dëgjonte. Di të them vetëm se ata ziheshin shpesh herë bashkë. Gjithnjë për fajin e Bashkimit, ndoshta dhe nga gjendja mendore që sa vinte dhe rendohej.

Babai përballë të birit

Erdha menjëherë në shtëpi dhe e pashë këtu në oborr. Në njërën dorë mbante sqeparin dhe në tjetrën një thikë. Nusja kishte vdekur. Në atë kohë erdhi edhe policia se e kishte lajmëruar nusja e nipit. Ajo kishte kaluar rastësisht dhe donte t`i përshëndeste kur kishte parë çfarë kishte bërë Bashkimi. Ai vetë i kishte thënë thirr policinë se e vrava. Pasi kishte lajmëruar policinë ajo erdhi më thirri dhe mua. Isha me vëllain tim në atë kohë, kur ajo më thotë shpejt se Bashkimi ka vrarë nusen. Sapo hyra në oborr ç`të shihja; nusja e shtrirë mbi gjakun e saj. I thashë: Ç`bëre kështu mor bir- por në atë kohë do ta merrte policia. “Të varroset në Lushnjë më tha, në njerëzit e saj, jo këtu”,  vetëm kaq dhe e mori polica. Nuk më tha as qysh as tek. Vetëm ata të dy e dinë si ndodhi, pse u grindën, pse u zunë. Nuk kishte njëri tjetër në shtëpi!