Spitali Amerikan i ofroi reklama gazetës shqiptare kundrejt ‘lënies rehat’

Menaxherja e marketingut të Spitalit Amerikan deklaroi të mërkurën në cilësinë e dëshmitares se pas publikimit të një shkrimi investigativ nga gazeta Shëndet Plus - për të cilin Spitali Amerikan ka ngritur padi për shpifje - ajo inicioi kontakt me gazetarët duke i ofruar një paketë shkrimesh të sponsorizuara që u refuzua.

Spitali Amerikan i ofroi reklama gazetës shqiptare kundrejt ‘lënies rehat’

Në seancën gjyqësore të radhës mes Spitalit Amerikan kundër gazetës Shëndet Plus të mërkurën, dëshmitarja e palës paditëse Oriela Kosho, menaxhere e marketingut pranë Spitali Amerikan, pohoi t’i kishte ofruar gazetës së paditur një ‘bashkëpunim’ përmes shkrimeve të sponsorizuara në këtë gazetë pas daljes së investigimit.

Kosho u shpreh se ky bashkëpunim i ri ishte iniciuar nga ajo, duke përfaqësuar Spitalin Amerikan, por më vonë e pyetur nga avokati i palës paditëse tha se nuk ishte e autorizuar për bashkëpunimin. Përfaqësuesja e gazetës Shëndet Plus, Eglantina Bardhi, u shpreh në gjykatë se spitali i kishte ofruar një kontratë afatgjatë bashkëpunimi për shkrime të sponsorizuara kundrejt “lënies rehat” nga gazetarët.

Menaxherja e marketingut të spitalit privat mohoi të kishte kërkuar fshirjen e shkrimit, por tha se spitali kishte qenë i gatshëm të nxirrte shkrime të vetat me pagesë, pavarësisht investigimit.

Në Prill 2016, gazeta Shëndet Plus botoi një shkrim investigativ ku pacientët e hemodializës ankoheshin ndaj kushteve të lavanterisë dhe ushqimit në Spitalin Amerikan, kompania private që ofron pjesën dërrmuese të shërbimit të dializës së paguar nga paratë e taksapaguesve.

Avokati i palës së paditur deklaroi para gjykatës së paditësit po përpiqeshin të provonin se gazeta kishte shkruar kundër tyre për të përfituar financiarisht, pretendim ky që u hodh poshtë nga pala mbrojtëse duke qenë se gazeta nuk kishte pranuar para nga Spitali – as në këtë rast dhe as në një bashkëpunim të shkuar keq në fillim të vitit 2015.

Një tjetër dëshmitare, Alma Sheme, në cilësinë e nënkryetares së shoqatës së Pacientëve në Dializë dhe të Transplantuarve të Shqipërisë, u shpreh se ajo ishte kontaktuar vazhdimisht nga pacientë që po merrnin shërbime të dializës nga Spitali Amerikan, të cilit i ishin ankuar për ushqimin e keq dhe mungesën e çarçafëve për poltronët e pacientëve.

“Problemi i pacientëve ishte sasia e pakët dhe cilësia [e ushqimit] dhe mungesa e çarçafëve,” tha Sheme duke dhënë para gjykatëses emrat e pacientëve që dëshmuan te gazetarët.

“Këto pakënaqësi ia kam bërë të ditur Spitalit Amerikan me anë të letrës, pasi nuk arrita të krijoja kontakt me drejtorin Klodian Allajbeu. Pas publikimit të investigimit mora përgjigje me shkrim se çarçafët do të vijnë”, shtoi ajo duke thënë se shumë pacientë janë tërhequr nga ankesat pas daljes së shkrimit.

Ndërkohë, dëshmitarja Oriela Kosho, pretendoi se muajin e kaluar ka marrë një telefonatë nga një person i paidentifikuar i prezantuar si përfaqësuese e shoqatës së paditur, që i ka kërkuar reklama të spitalit për gazetën, ofertë të cilën sipas Koshos ajo e ka refuzuar.

Megjithatë, dëshmitarja nuk arriti të japë detaje për identitetin e telefonueses dhe tha se nuk ia kishte ruajtur kontaktet.

Pala e paditur, Shëndet Plus tha për BIRN se në mënyrë kategorike nuk ka krijuar kontakt me Spitalin Amerikan dhe se do të ngrejë një çështje ligjore kundër dëshmitares Kosho për dëshmi të rreme.

Gjyqi do të vazhdojë më 6 shtator, pasi të paditurit të mund të kontaktojnë pacientët e spitalit për të dëshmuar në gjykatë për pakënaqësitë e raportuara.

Në padinë civile të Spitalit kundër gazetës u kërkua fillimisht dëmshpërblim 1 milionë lekë dhe përgënjeshtrim i shkrimit, por më pas u tërhoq duke kërkuar vetëm përgënjeshtrim të investigimit.

Gazeta Shëndet Plus ka deklaruar se i qëndron fakteve të publikuara në investigim./Reporter.al