Spitalet kanë nevojë urgjente për 230 infermierë

Spitalet kanë nevojë urgjente për 230 infermierë

Numri i pacientëve që frekuentojnë, në baza ditore, Qendrën Klinike Universitare arrin deri në 30 mijë vizitorë. Por, institucionet shëndetësore në vend po përballen me mungesë të infermierëve dhe ndihmësinfermierëve, të cilët do të menaxhonin trajtimin e sëmundjeve të pacientëve. SHSKUK-ja po kërkon që në QKUK urgjentisht të punësohen edhe 180 infermierë të rinj. Ndërkaq, për gjithë SHSKUK-në duhen edhe rreth 700 infermierë të rinj për t’i mbuluar nevojat e qytetarëve për mjekim.

Klinikat në QKUK për çdo ditë vizitohen nga një numër i konsiderueshëm i pacientëve. Por numri i stafit mjekësor që do t’u ndihmonte atyre lë për të dëshiruar. Të gjitha Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ballafaqohen me mungesë të infermierëve.

Drejtuesi i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, ka shprehur nevojën që urgjentisht në këtë klinikë të punësohen edhe rreth 30 infermierë të rinj, si dhe 12 ndihmësinfermierë. Infermierë të rinj po kërkojnë edhe zyrtarë të Klinikës së Kardiokirurgjisë.

Sipas drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive në QKUK, Tefik Bekteshi, në këtë klinikë duhen edhe 25 infermierë të rinj, të cilët do të mundësonin që procesi i punës të zhvillohej rregullisht.

Rreth mungesës së Infermierëve në SHSKUK, për Gazetën Express ka folur ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu. Ai thotë se së shpejti do të hapet konkursi i ri për pranim të infermierëve për të gjithë Shërbimin Klinik dhe Universitar të Kosovës. Ai njofton se përmes konkursit do të pranohen rreth 230 infermierë të rinj për të gjitha spitalet publike në vend.

Sejdiu ka shtuar se vetëm për Qendrën Klinike Universitare parashihet që të pranohen 180 infermierë të rinj, si dhe 50 të tjerë në spitalet regjionale.

“Është çështje e ditëve apo javëve që të shpallet konkursi për diku edhe për 230 infermierë. Për momentin kjo do të jetë një zgjidhje shumë e mirë. Shërbimet të cilat vuajnë për infermierë, kjo do t’iu bëjë zgjidhje të madhe”, ka thënë Sejdiu.

Ai konsideron se ky numër është i kënaqshëm, por se në gjithë SHSKUK-në duhet pranuar rreth 700 infermierë të rinj, të cilët, sipas tij, do t’i mbulonin të gjitha nevojat që i ka kjo qendër.

“Për krejt SHSKUK-në duhen edhe 600 deri në 700 infermierë të rinj”, ka thënë ai, duke shtuar se me punësimin e këtyre infermierëve disa Klinika në QKUK tash e tutje do të kenë shërbime 24 orë.

“Ne planifikojmë që edhe disa shërbime të bëhen 24-orëshe dhe gjithmonë ka qenë pengesë kryesore stafi infermieri. Klinika e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiologjisë, Onkologjisë, janë klinikat që kanë më tepër nevojë që të kryejnë shërbime 24 orë”, tha u.d. drejtori Sejdiu.

Rreth kësaj çështjeje për Express ka folur edhe koordinatorja e infermierisë në SHSKUK, Lirije Beqiri, sipas së cilës është nevojë urgjente që të bëhet punësimi i këtyre infermierëve.

Beqiri shpjegon se drejtorët e Klinikave në QKUK kanë kërkesa të mëdha për punësimin e infermierëve.

“Bazuar në numrin e shtretërve dhe numrin e shërbimeve nevoja për infermierë është nevoja jashtëzakonisht e madhe. Për QKUK-në do të jenë 180 infermierë që na kanë premtuar se do t’i pranojnë”.

Ajo ka treguar se në cilat Klinika parashihet që të sistemohen këta infermierë.

“Përparësi kanë Klinikat si emergjenca, mjekimi intensiv, sallat e lindjes, analizat, si dhe disa klinika të tjera. Sipas standardeve të Evropës te mjekimi intensiv qendror duhet të jetë një mjek një pacient. Kosova akoma lë për të dëshiruar lidhur me këtë çështje”, ka thënë Lirije Beqiri.

Ajo njofton se në gjithë QKUK-në janë 1 mijë e 739 infermierë, ndërsa në gjithë SHSKUK-në janë rreth 4 mijë e 700 infermierë.

Për punësimin e infermierëve ka folur edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili thotë se me miratimin e buxhetit për vitin 2018, në institucionet shëndetësore kosovare do të punësohen edhe 100 mjekë e 100 infermierë.

Por, përkundër zotërimeve të kompetentëve, kuadrot mjekësorë të papunë vazhdojnë të ikin jashtë Kosovës. Gjatë tri viteve të fundit kanë ikur më shumë se 400 mjekë në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas njohësve të çështjeve të shëndetësisë, për t’i përmbushur standardet evropiane, Kosova duhet që t’i punësojë në institucionet publike shëndetësore edhe dy mijë mjekë e pesë mijë infermierë, aq sa nevojiten për kokë banori.