Spasiq akuzon Listën Serbe se ia tradhtuan djalin

Spasiq akuzon Listën Serbe se ia tradhtuan djalin

Garë e ngushtë ishte edhe për kryetar të komunës së Kllokotit. Sreqko Spasiq po e akuzon Listën Serbe se e tradhtoi kandidatin e vet dhe e mbështeti atë të një iniciative qytetare.

Strahinja Spasiq kishte hyrë në balotazh i bindur se do të fitonte për tu bërë kryetar i Kllokotit. Ai synonte të pasonte babanë e tij Streqkon, i cili ishte kryetar komune nga viti 2013.

I pari edhe doli më 19 nëntor në rezultatet preliminare të dhëna në KQZ. Por jo me më shumë se 10 vota diferencë nga kundërkandidati nga Iniciativa Qytetare Bozidar Dejanoviq.

Gëzimi i Spasiqit u venit kur u numëruan votat me kusht. Nga numërimi i tyre rezultati u përmbys e fitoi kundërkandidati.

E tani babai i tij e ka të vështirë të ia lirojë pozitën kundërshtarit të djalit.

Ai beson se ka pasur manipulime në votat me kusht dhe ato me postë.

Sipas Spasiqit edhe pse djali i tij ishte kandidat i Listës Serbe, e humbi mbështetjen dhe në fund u tradhtua.

“Në rundin e parë e kemi pasë përkrahjen ne, në të dytën e ka pasë kundërkandidati. Kjo pasi na është kërkuar nga udhëheqësitë e Listës Serbe që të bëhemi bashkë kundër shqiptarëve, por unë kam kundërshtuar”, tha ai për Klan Kosova.