Sot mbahet seanca fillestare ndaj ish-kryetarit të Gjilanit

Sot mbahet seanca fillestare ndaj ish-kryetarit të Gjilanit

Ka nisur gjykimi ndaj ish Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafës, 28 zyrtarëve të kësaj Komune dhe 10 pronarëve të operatorëve ekonomik.

Mustafa akuzohet se ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit dhe përcaktimit të fituesit të tenderit.

Kjo është seanca e shqyrtimit fillestar ku të pandehurit pritet të deklarohen rreth fajësisë apo pafajësisë për veprat me të cilat ngarkohen.

Megjithatë, për shkak të numrit të madh të palëve në procedurë, ky gjykim nuk është duke u mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, por në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës, shkruan Betimi për Drejtësi.

Ndaj 39 të dyshuarve Prokuroria Speciale me 16 shtator të vitit të kaluar, ka ngritur aktakuzë për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.Sipas aktakuzës zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Ndërsa sipas aktakuzës të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.