Sonte Skënderbeu zhvillon ndeshjen vendimtare për Europa League

Sonte Skënderbeu zhvillon ndeshjen vendimtare për Europa League

Pak orë e ndajnë Skëndërbeun nga ndeshja më e rëndësishme e të gjithë sezonit, ajo përballë Dinamos së Zagrebit.

Ky 90-minutësh vlen sa kualifikimi për në fazën e grupeve të kupës Europa League, në të cilën skuadra korçare ka mundur të kualifikohet edhe më parë. Barazimi 1-1 në ndeshjen e parë, përpara 7 ditësh, është një plus minimal për Skëndërbeun, që duhet medoemos të fitojë këtë përballje të dytë, apo të paktën të barazojë pa gola, që të bëhet pjesë e grupeve të Europa League.

Trajneri Ilir Daja ka përsëritur vazhdimisht që pas ndeshjes së parë se asgjë nuk ka përfunduar dhe ka kërkuar të ulë euforinë që prodhoi paraqitja shumë e mirë e skuadrës së tij në Zagreb, që edhe golin e barazimit e pësoi në kohën shtesë. Ai do t’i besojë të njëjtit formacion si në atë ndeshje, me të vetmin dyshim deri në momentet e fundit të mbrojtësit Bajram Jashanica, i cili ka një dëmtim të lehtë dhe për të do të  vendosë stafi mjekësor.

Edhe në seancën e fundit stërvitore të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në “Elbasan Arena”, trajneri Daja ka theksuar se skuadra e tij do të futet për ta fituar ndeshjen dhe për ta vënë në vështiërsi kundërshtarin, duke e sulmuar që në fillim, në përpjekje që të zhvillojnë një lojë si ajo e 45 minutave të para në Zagreb.

Ndërkohë, një plus i rëndësishëm do të jenë edhe tifozët e shumtë që pritet të jenë të pranishëm në ndeshjen e sotme. Deri në orët e paradites të së enjtes janë shitur rreth 10 000 bileta për këtë takim, ndërkohë që rekordi i shikueshmërisë së një ndeshje të një klubi shqiptar në kupat e Europës është pikërisht përballja e Skëndërbeut me Dinamon e Zagrebit, rreth dy vite më parë, me 12 mijë bileta të shitura.

Për të gjithë ata që nuk do të mund të sigurojnë një biletë për ndeshjen e mbrëmjes së sotme, do të kenë mundësi ta ndjekin drejtpërdrejtë në SuperSport.