Kosova sonte ndeshet me Finlandën në futboll

Ekipi i Kosovës sot me fillim nga ora 20:45, do ta zhvillojë ndeshjen e parë zyrtare me Finlandën për kualifikim në botërorin ‘Rusia 2018’.

Kosova sonte ndeshet me Finlandën në futboll

Ekipi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka mbajtur stërvitjet në stadiumin “Veritas”, në Turku ku edhe do të zhvillohet ndeshja. Shumë shikues kanë pasur mundësi që ta përcjellin ekipin e Kosovës gjatë stërvitjes së tyre.

Alban Meha njëri nga lojtarët e ekipit të Kosovës ka thënë se “ne kemi një grup shumë të mirë dhe cilësor. Besoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv. Ka lojtarë të rinj që kanë përkushtim të madh dhe dëshirë për të fituar. Megjithatë, ndeshja kundër Finlandës do të jetë e vështirë, por ne jemi të përgatitur që të kemi sukses, për të marrë tri pikë”, ka thënë Alban Meha, njofton Federata e Futbollit të Kosovës.

Federata e Futbollit të Kosovës gjithashtu ka njoftuar se në stadium do të lejohen vetëm simbolet e Finlandës dhe të Kosovës.

Rëndësi të veçantë, për ndeshjen Kosovë – Finlandë, kanë shprehur edhe mediet e huaja, ku gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”, ka ndjekur nga afër stërvitjen e ekipit kosovar duke shkruar se stërvitjet para ndeshjes janë duke u bërë me kujdes të veçantë.

Kosova, si pjesë e ‘Grupit I’, do të ballafaqohet edhe me ekipet e Turqisë, Ukrainës e Islandës, ndërsa pas ndeshjes me Finlandën , Kosova do të luajë kundër Kroacisë.

Kosova u pranua në UEFA dhe në FIFA, në maj të këtij viti.

Po ashtu, sonte në të njëjtën kohë pritet të zhvillohet edhe ndeshja në mes Shqipërisë dhe Maqedonisë./Insajderi.com