“Skifterat” akuzojnë liderin e “Dardanëve”: Je zgjedhur nga LDK-ja

“Skifterat” akuzojnë liderin e “Dardanëve”: Je zgjedhur nga LDK-ja

Grupimi i tifozëve “Skifterat” nga Gjilani kanë akuzuar tifozët zyrtar të përfaqësueses së Kosovës “Dardanët”, se janë të ndikuar nga politika dhe se kanë mashtruar me shitjen e biletave për ndeshjet e Kosovës.

Përmes një kumtese për medie, “Skifterat” kanë thënë se kryetari i tifo-grupit “Dardanët”, Lulzim Berisha është i lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas tyre, lideri i “Dardanëve” nuk është zgjedhur me votat e anëtarëve të grupit por është zgjedhur “nga një dorë e padukshme”.

“Si është e mundur që një qytetar i thjeshtë, i cili asnjëherë më parë nuk kishte zhvilluar aktivitet tifozerik të futet ne mbledhjen e tifo grupeve nga e gjithë kosova, dhe aq më shumë të zgjidhet kryetar. Kjo e dëshmon faktin, që zgjedhja e kryetarit te “Dardaneve” është bërë nga nje dore e padukshme e cila ka ndikuar ne kete process. Sipas gjitha gjasave, është lidhja e tij e afërt me anëtarë dhe liderë të degëve të LDK-së, siç edhe shihet nëpër postimet e tij nëpër rrjetet sociale”, thuhet në reagimin e “Skifterave”.

Tifozët e Klubit të Futbollit Gjilani kanë shprehur dyshime edhe rreth ndarjes së biletave që Federata e Futbollit të Kosovës kishte vënë në dispozicion për ndeshjet e Kosovës.

“Skifterat”, në reagimin e tyre thonë se asnjë nga anëtarët e tifozerisë “Dardanët” – në të cilin kishin qenë pjesë edhe ata, deri në ditën e djeshme – nuk janë deklaruar nëse kanë marrë biletë falas, nga ato që federata kishte ndarë.

“FFK kishte ndarë për këtë grupim [“Dardanët” v.j] 500 bileta gratis, dhe 500 të tjera më çmim të përgjysmuar, pra 3 euro. Deri tani, asnjë tifozë nuk ka dal të deklarohet se nëse ka blerë ose ka marrë biletë gratis ose 3 euro”, kanë deklaruar “Skifterat”.

Tifo-grupi nga Gjilani ka thënë se nuk do të jetë më pjesë e grupimit “Dardanët”, por do ta mbështesin përfaqësuesen e Kosovës në mënyrë vetanake. /Insajderi.com